Kandiq: Serbia t’i japë të dhënat për djegien e trupave të shqiptarëve

Prishtinë, 26 qershor 2013 – Aktivistja për të drejtat e njeriut nga Serbia, Natasha Kandiq, ka thënë se transportimi i trupave të shqiptarëve të vrarë nga Kosova për në Serbi, vazhdon të jetë çështje sekrete, për shkak se kështu kanë vendosur ata që i kanë marrë vendimet për këtë operacion.

Në një intervistë për gazetën kosovare “Tribuna”, ajo ka folur edhe për të thënat e dëshmitarit Ivan Pajiq, të publikuara në këtë gazetë, të martën. Ajo ka thënë se ka dëgjuar për djegien e trupave në shkritoren e Borit dhe se për këtë, sipas saj, janë vrarë edhe përfaqësues politikë.

“Kam dëgjuar se ka pasur djegie të trupave në Bor. Është folur se një anëtar i Partisë Socialiste Serbe është vrarë për këtë çështje. Kur e kam thënë publikisht, para shtatë vjetësh, kanë pasuar reagimet e zyrtarëve të Partisë Socialiste, të cilët e kanë mohuar një gjë të tillë. Në atë kohë prokurori i krimeve të luftës nuk ka reaguar”, ka thënë Kandiq.

Kandiq u ka bërë thirrje autoriteteve në Beograd që të mos e zvarrisin këtë proces dhe t’i nxjerrin të dhënat.

“Dua të besoj se qeveria e re do t’i paraqesë të dhënat për djegien e trupave të shqiptarëve të Kosovës dhe, me këtë, t’u ndihmojë familjeve që të pajtohen me një të vërtetë të rëndë. Këtu bëhet fjalë për çështje civilizimi”, ka vlerësuar Kandiq.

Drejtoresha e Fondit për të Drejtat Humanitare ka shfaqur shpresën se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pas dialogut në Bruksel, do të mund t’i japë epilog çështjes së personave të pagjetur.

R.M.