Vizitorët e përkohshëm për arsye biznesi

Avokati Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

 

Pyetje nga lexuesi:

Më duhet të shkoj në SHBA për të përfunduar një kontratë me një furnizues produktesh shtëpiake, për dyqanin e familjes sime. A mund të marr një vizë për këtë qëllim dhe nëse po, a mund të gjej punë pasi të kem kryer biznesin?

NH

Shkodër, Shqipëri

Nëse dëshironi të vizitoni Shtetet e Bashkuara për arsye biznesi, duhet të pajiseni me vizën përkatëse që u jepet vizitorëve të përkohshëm që shkojnë aty për biznes. Viza më e zakonshme që jepet në këto raste është viza B-1 (Temporary Business Visitor). Kjo vizë B-1 u lejon jo-emigrantëve të kryejnë aktivitete të një natyre tregtare ose profesionale, si për shembull, të konsultohen me partnerë biznesi, të negociojnë një kontratë ose të marrin pjesë në një konferencë biznesi.

Mes aktiviteteve të tjera në të cilat mund të merrni pjesë me një vizë B-1, përfshihen dhe: 

  • Konsulta me partnerë biznesi;
  • Udhëtimi me qëllim pjesëmarrjen në një konferencë ose në një konventë shkencore, arsimore, profesionale ose biznesi që do të zhvillohet në data të caktuara; 
  • Zgjidhja e një çështje prone; 
  • Negocimi i një kontrate; 
  • Pjesëmarrja në trajnim afatshkurtër; 
  • Kalimi tranzit përmes Shteteve të Bashkuara: persona të caktuar mund të kalojnë tranzit nga Shtetet e Bashkuara me vizë B-1; 

Kriteret kualifikuese

Që të mund të kualifikoheni për të marrë vizë B-1, duhet të tregoni që: 

 

  • Qëllimi i udhëtimit tuaj është të hyni në Shtetet e Bashkuara për arsye biznesi të një natyre të ligjshme; 
  • Keni në plan të qëndroni për një periudhë të caktuar kohe të kufizuar; 
  • Keni fonde të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit tuaj në Shtetet e Bashkuara; 
  • Keni një vendbanim jashtë Shteteve të Bashkuara të cilin nuk keni ndërmend ta braktisni, si dhe lidhje të tjera të forta të cilat shërbejnë si garanci që në fund të vizitës do të riktheheni në vendin nga keni ardhur;
  • Nga çdo aspekt tjetër, nuk egziston ndonjë arsye që të mos ju lejohet të hyni në Shtetet e Bashkuara; 

Bashkëshorti/ja dhe fëmijët tuaj nuk kualifikohen për të marrë vizë si “persona në ngarkim”. Secili prej personave që keni në ngarkim dhe që do t’ju shoqërojë ose do të vijë më pas për të qëndruar aty me ju, duhet të aplikojë veçmas për një vizë B-2 dhe duhet të ndjekë procedurat përkatëse për marrjen e kësaj vize.

Periudha fillestare e qëndrimit me vizë B-1 është 1 deri në 6 muaj. Afati i qëndrimit mund të shtyhet deri në 6 muaj të tjerë. Në total, koha maksimale e qëndrimit që i lejohet dikujt me status B-1, në çdo udhëtim, është zakonisht 1 vit. Në pikën e hyrjes, një zyrtar i imigracionit duhet t’ju autorizojë që të hyni në Shtetet e Bashkuara dhe, nëse kualifikoheni për të hyrë, fillimisht mund të pranoheni për periudhën që ju nevojitet për të kryer aktivitetin tuaj të biznesit, dhe më pas kjo periudhë mund të shkojë maksimumi deri në 1 vit. Nëse dëshironi të qëndroni në Shtetet e Bashkuara përtej afatit që ju kanë caktuar në Formularin I-94, duhet t’i paraqisni USCIS-it formularin përkatës I-539, Application to Extend/Change Nonimmigrant Status si dhe dokumentat në mbështetje të kërkesës për shtyrje të qëndrimit.

Nëse nuk keni leje për të punuar, nuk mund të pranoni të punësoheni në Shtetet e Bashkuara. Disa jo-nënshtetas, si p.sh. ata që janë kanë statusin e rezidentit të përhershëm, statusin e azilantit ose refugjatit, ose janë pranuar në SHBA në kuadrin e kategorive jo-imigruese që lidhen me punën, mund të kenë leje punësimi që lidhet direkt me statusin e tyre të emigracionit. Jo-nënshtetasve të tjerë mund t’ju duhet të aplikojnë individualisht për leje punësimi. Dikujt që ka vizë B-1 nuk i lejohet të kërkojë leje punësimi, dhe nëse e bën diçka të tillë, kjo përbën shkelje të kushteve të vizës në fjalë.

Nëse gjendeni në Shtetet e Bashkuara me një status të ligjshëm jo-emigrues që nuk ofron leje punësimi, zakonisht mund të aplikoni për: 

Ndryshim statusi nën një kategori jo-emigruese që ofron mundësinë për leje punësimi; ose ndreqje statusi për t’u bërë rezident i përhershëm i ligjshëm. Diçka e tillë mund të jetë dhe një aplikim i njëkohsishëm me një peticion për vizë emigruese ose, në varësi të rrethanave, mund t’i kërkojë aplikantit që të bëhet rezident i përhershëm i ligjshëm. Në varësi të kategorisë nën të cilën do të aplikoni, aplikimi për ndryshim apo ndreqje të statusit, mund të dojë që një punëdhënës amerikan ose dikush tjetër që kualifikohet për të paraqitur një aplikim apo peticion në emrin tuaj, të vendosë nëse kualifikoheni ose jo për diçka të tillë. 

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nёmёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]