Vuçiq diskuton me ambasadorin Hill për situatën në Kosovë

Beograd, 8 dhjetor 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka biseduar të enjten me ambasadorin e Shteteve të bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill.

Sipas raportimevenga Beogradi, Vuçiq e Hill kanë biseduar për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë të situatës në Kosovë, për çka Vuçiq ka fajësuar institucionet e Kosovës.

Vuçiq ka përsëritur frazën e tij tashmë të njohur se Serbia është paqësore, por do tëmbrojë interesat e saj nacionale.  

“Serbia vazhdon të jetë e përkushtuar për paqe dhe stabilitet, mirëpo po ashtu është e vendosur për mbrojtje të njerëzve dhe interesave nacionale”, ka thënë ai.

Vuçiq ka shprehur pikëpamjet e tij edhe lidhur me propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.

Bashkimi Evropian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Gjermania, ka dalë së fundi me një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve. Ky propozim, i njohur në publik si “plani franko-gjerman” thuhet se parasheh disa hapa që do të çonin në zgjidhjen e problemeve midis dy vendeve.

Gjatë takimit me ambasadorin Hill, Vuçiq e ka shtruar edhe çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Situata në veri të Kosovës është përshkallëzuar të martën, më 6 dhjetor, kur disa grupe të qytetarëve serbë kanë penguar hyrjen e zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në zyrat e këtij institucioni në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, me qëllim të përgatitjes për zgjedhje. Pranë këtyre zyrave, të cilat janë demoluar, ka pasur edhe tështëna me armë zjarri dhe shpërthim të shok-bombave.

Edhe të mërkurën në mbrëmje në Mitrovicën Veriore kanë ndodhur dy shpërthime me shok bomba.

Zgjedhjet për komunat veriore (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan) janë caktuar për 18 dhjetor, pasi kryetarët e tyre kanë dhënë dorëheqje, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia.

(r.m.)