Prishtinë, 8 dhjetor 2022 – Qeveria e Kosovës përgënjeshtroi raportimet e medieve serbe se në [jesën veriore të Kosovës ku serbët përbëjnë shumicën janë dërguar si përforcim pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i përgenjeshtroi këto raportime.
“Bëhet fjala vetëm për policinë e rendit dhe jo për ndonjë njësi tjetër”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Policia e Kosovës njoftoi të enjten për rritjen e prezencës policore në katër komunat në veri të Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se rritja e prezencës policore në këtë pjesë të vendit ishte e domosdoshme pas incidenteve të dy ditëve të fundit. Ai tha se Policia e Kosovës angazhohet “për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim”.
Më 6 dhe 7 dhjetor, në komunat në veri të Kosovës kanë ndodhur incidente me armë zjarri dhe me granata.
Të martën, zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në Mitrovicën Veriore dhe në Zubin Potok u dëmtuan nga grupe dhe persona të maskuar. Një bombë dore u gjet e pashpërthyer në zyrën e komisionit komunal zgjedhor në Mitrovicë të Veriut.
Të mërkurën në mbrëmje, në dy lagje të Mitrovicës Veriore pati shpërthime të “shock-bombave”.
Të enjten, në Leposaviq, pati një tentim për plaçkitjen e filialit të Bankës Kombëtare të Serbisë.
(r.m.)