Shqipëria duhet të frenohet nga zbatimi i Programit të Pasaportës së Artë të njohur edhe si Skema e Shtetësisë së Investitorëve dhe të shfuqizojë bazën ligjore për një program të tillë, duke aplikuar ndryshime të reja në Ligjin për Shtetësinë.
Ky rekomandim erdhi nga Komisioni Europian në raportin e tij të pestë në kuadër të mekanizmit të pezullimit të vizave. Komisioni thekson se avancimi në një program të tillë mund të çojë në pezullimin e regjimit të vizave.
Ky rekomandim vjen teksa projekti i Marinës së Jahteve në Durrës, filloi në 8 dhjetor shitjen e apartamenteve dhe për blerësit potencialë të huaj në projektin “Marina & Jahtet e Durrësit” pritet që të bëhet një ligj i veçantë, që tu japë atyre nënshtetësinë. https://www.monitor.al/marina-e-jahteve-ne-portin-e-durresit-fillon-shitjen-e-apartamenteve-ne-ajer-vlera-totale-do-arrije-ne-2-3-miliarde-euro/
Në marrëveshjen kuadër “Jahtet dhe Porti i Marinës” mes qeverisë shqiptare dhe konsorcumit të Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a., dhe Nshmi Development L.L.C”, për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit” parashikohet që: “Investitorët e huaj që blejnë drejtpërdrejt nga prona e Investitorit Strategjik në Projekt, do të kenë të drejtë të aplikojnë për shtetësi dhe/ose rezidencën e përhershme të Republikës së Shqipërisë bazuar në blerjen e tyre nga Investitori Strategjik, nëse kjo shumë e blerjes përmbush kriteret, kushtet dhe regjimin specifik që do të përcaktohet nga një vendim i Këshillit të Ministrave në bazë të kësaj Marrëveshjeje dhe të plotësimit të kritereve të kërkuara nga Legjislacioni i Zbatueshëm”. (shënim i Monitor). https://www.monitor.al/qeveria-pritet-te-beje-ligj-te-posacem-per-tu-dhene-nenshtetesi-te-huajve-qe-do-blejne-ne-projektin-e-portit-te-durresit/
Që prej vitit 2020 qeveria po përpiqet të zbatojë një plan për pasaportat e arta për të huajt dhe investitorët. Në fund të korrikut 2022, qeveria bëri disa ndryshime në ligjin për partneritetet publiko-private (PPP) duke shtuar programet e shtetësisë. Vendimi mundëson punësimin e firmave private për të promovuar këtë skemë tek të huajt. (shënim i Monitor)
“Ngritja e një skeme të nënshtetësisë së investitorit do të ishte në kundërshtim me rekomandimet e bëra në Raportin e Katërt sipas Mekanizmit të Pezullimit të Vizave dhe paketës së zgjerimit 2021”, thuhet në raport.
Sipas vlerësimeve të bëra nga Komisioni Europian, një program për shtetësinë e investitorit mund të shërbejë për të anashkaluar procedurën e vizave me qëndrim të shkurtër të Bashkimit Europian, duke paraqitur rreziqe të mundshme migracioni dhe sigurie.
Komisioni Europian u ka bërë thirrje disa herë autoriteteve në Shqipëri që të mos nisin një skemë të tillë pasi ajo mund të cojë në përfshirje në shumë afera të paligjshme si pastrim parash dhe afera të tjera të paligjshme, thuhet në artikullin e SchengenVisaInfo.com.
KE: Nëse avanconi rrezikoni pezullimin e vizave
Komisioni paralajmëroi Tiranën se një program i tillë mund të çojë në pezullimin e regjimit të vizave.
“Ky është një shqetësim i madh për BE-në në kuadrin e marrëveshjes së saj pa viza me Shqipërinë. Komisioni mendon se, nëse skema të tilla vlerësohet se përbëjnë një rrezik në rritje për sigurinë e brendshme dhe politikën publike të Shteteve Anëtare, regjimi pa viza mund të pezullohet”, thuhet në deklaratë.
Komisioni theksoi faktin se Shqipëria ka ndjekur shumicën e rekomandimeve të bëra nga Komisioni më parë, megjithatë, raporti theksoi se Shqipëria gjithashtu ka paraqitur masa që bien ndesh me rekomandimet e Komisionit në lidhje me përafrimin si dhe programin e shtetësisë, duke theksuar kështu përparimin e mëtejshëm që është i nevojshëm për çështje specifike, ndër to heqja e planit për futjen e skemës së Pasaportës së Artë.
Skema e Pasaportës së Artë lejon të huajt e pasur që kontribuojnë financiarisht në Shqipëri dhe plotësojnë kërkesa specifike që të marrin nënshtetësinë në këtë vend. Megjithatë, shpesh ka pasur kritika se kjo skemë është një derë e hapur për shumë afera të paligjshme.
Pavarësisht rekomandimeve të Komisionit Europian, autoritetet në Shqipëri kanë theksuar më parë se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar në lidhje me zbatimin e kësaj skeme.
Komisioni vazhdon t’u bëjë thirrje të gjitha shteteve anëtare që drejtojnë programe të tilla që t’i ndërpresin ato sa më shpejt të jetë e mundur, përfundon artikulli i publikuar nga SchengenVisaInfo.com.
Këshilli i ministrave të Drejtësisë dhe ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian, më 8 dhjetor të vitit 2010 miratuan liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.
Më 15 dhjetor të vitit 2010, hyri në fuqi vendimi i Parlamentit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Shqipërisë që udhëtojnë në shtetet e Bashkimit Europian.