Tiranë, 9 dhjetor 2022 – Në Shqipëri, Partia e Lirisë e drejtuar nga ish presidenti Ilir Meta bëri të ditur sot se Gjykata e Tiranës e ka shfuqizuar vendimin e Prokurorisë për të mos nisur një procedim penal ndaj Autoritetit të Dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, pas kallëzimit të bërë kundër këtij institucioni, nga ish presidenti Ilir Meta. Gjykata, e vënë në lëvizje nga zoti Meta, urdhëroi Prokurorinë që të rregjistrojë procedimin penal dhe të kryejë hetime mbi rastin.
Zoti Meta ngriti padi penale ndaj Autoritetit më datë 1 shtator, pasi dhe më herët e kishte akuzuar atë për shkelje ligjore kur ky institucion njoftoi zyrtarisht parlamentin se kishte hasur në dokumenta që e lidhnin ish presidentin me strukturat e ish Sigurimit. Sipas tij, anëtarët e Autoritetit kishin shkelur 6 nene të Kodit Penal, duke i akuzuar për shpërdorim detyre, falsifikim i dokumenteve shtetërore, falsifikim kompjuterik, falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve, përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik, zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete.
Zoti Meta, duke ju referuar rastit të tij, tha se dokumentat janë manipuluar, pasi personi Filip Talo, i cili pretendohet të jetë kallzuar prej tij, në rrëfimin e bërë me shkrim dore për organet e sigurimit ka përmendur një tjetër emër, Ilir Murataj, me të cilin ndante dhomën e konviktit. Ndërkohë që zoti Meta shpjegoi se nuk ka jetuar në konvikt.
Autoriteti nga ana e tij këmbënguli se ka vepruar në respekt të procedurave ligjore dhe se praktika e ndjekur është lehtësisht e verifikueshme.
Prokuroria në vendimin e saj i ishte referuar nenit të Kodit të Procedurës Penale për “Rrethanat që nuk lejojnë fillimin e procedimit” i cili parashikon ndër të tjera se një nga rrethanat është dhe “kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston”. Prokuroria kishte shpjeguar më tej se “nisur nga çka përmban kallëzimi penal (i zotit Meta ndr.) dhe për më tepër baza ligjore mbi të cilën ka operuar Autoriteti, bën të mosgjendemi para rrethanave për regjistrimin e procedimit penal, që lidhet me ekzistencën e figurës apo figurave të veprës apo veprave penale”.
Por në të kundërt, Gjykata vlerëson se vendimi është marrë në kundërshtim me ligjin dhe në një interpretim të ngushtë të nenit të cilit i është referuar për mosfillimin e hetimeve, duke konstatuar se ajo madje ka kryer disa veprime hetimore e për pasojë do të duhej të kishte bërë rregjistrim penal për çështjen.
Në vendimin e gjykatës renditen dhe veprimet hetimore që Prokuroria duhet të kryejë, duke nisur që nga pyetja e Filip Talos, deri te administrimi i të gjitha akteve dhe veprimeve të kryera për rastin nga autoriteti, dhe anëtarët e këtij institucioni. “Vetëm pas kryerjes së këtyre veprimeve mund të arrihet në përfundimin nëse ka ose jo vepër penale”, shkruhet në vendimin e Gjykatës.
Avokati Genc Gjokutaj, i cili përfaqësoi zotin Meta në Gjykatë, tha sot se Prokuroria ishte mjaftuar vetëm me pyetjen e anëtarëve të Autoritetit dhe “nuk ka kryer asnjë veprim tjetër duke mos dashur të kryejë hetime, sepse ato do të zbulonin shkeljet dhe shpërdorimet e kallëzuara nga ana jonë, por të mohuara nga ana e organit të hetimit”.
Rasti i zotit Meta bëri që socialistët të nxitonin të ndërmarrin disa nisma ligjore. Në tetor, pas një marrëveshjeje dhe me atë pjesë të deputetëve demokratë që njohin si kryetar të grupit të tyre zotin Enkelejd Alibeaj, u miratuan disa ndryshme që parashikojnë ndër të tjera një hapje më të plotë të dosjeve, deklasifikimin e të gjithë dokumentave nga 29 Nëntori 1944 deri në 2 korrik 1991 të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë, si dhe heqjen e pengesave për riverifikimin e figurës së personave që kanë një çertifikatë të mëparshme pastërtie, kur për ta, shfaqen informacione të reja.
Një tjetër nismë, e propozuar nga Autoriteti i Dosjeve është në pritje në parlament. Ajo parashikon detyrimin për partitë politike dhe kandidatët në garat për parlament apo dhe pushtetin vendor, që të pajisen më parë me një çertifikatë pasurie nga Autoriteti. Një masë e cila rrezikon ta lerë jashtë posteve dhe institucioneve politike zotin Meta, nëse do të vërtetoheshin dyshimet se ai ka qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit.
Socialistët shkuan dhe më tej duke depozituar dhe dy ndryshime të tjera ligjore të cilat synojnë të pengojnë marrjen e posteve publike apo drejtimin e forcave politike, nga persona të lidhur me ish Sigurimin e shtetit.
(Zëri i Amerikës)