Prishtinë, 10 dhjetor 2022 – Policia e Kosovës njoftoi se ka mbyllur për qarkullim pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Autoritetet e rendit kërkuan që qytetarët të përdorin për qarkullim pikëkalimet tjera.
Policia tha se kjo është një masë paraprake e sigurisë, pasi serbët lokalë bllokuan disa rrugë në veri, si shenjë pakënaqësie për arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës.
“Bllokimi i rrugëve ka ndodhur kryesisht në disa rrugë, përfshirë edhe rrugë nacionale të komunave të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, duke cenuar dhe pamundësuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave”, tha Policia e Kosovës.
Autoritetet në Kosovë thanë se kanë arrestuar më 10 dhjetor ish-policin e Kosovës, Dejan Pantiq.
Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ish-polici serb ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Ai shtoi se Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm ndaj rendit kushtetues.
Që nga 6 dhjetori janë shënuar disa incidente në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, në kohën kur autoritetet zgjedhore po vazhdonin punën e tyre për organizimin e zgjedhjeve lokale, që fillimisht ishin paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor.
Por, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se zgjedhjet janë shtyrë për prillin e vitit të ardhshëm.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – në nëntor njoftoi për dorëheqjen e zyrtarëve serbë nga niveli komunal e qendror, përfshirë nga Policia e Kosovës, gjyqësori dhe institucionet e tjera të Kosovës në veri.
Këto dorëheqje erdhën në shenjë kundërshtimi me vendimin e Qeverisë së Kosovës për rirregjistrimin e makinave që kanë targa ilegale serbe.
Lista Serbe po ashtu kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve për udhëheqësit e komunës së Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.
(REL)