Prishtinë, 11 dhjetor 2022 – Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ka konfirmuar se një shok bombë është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e së shtunës, në afërsi të Rudarës, në komunën e Zveçanit.
EULEX-i bëri të ditur se “asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale”, por i cilësoi sulmet e tilla të papranueshme.
“Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e EULEX-it në Facebook.
Në këtë njoftim tutje thuhet se EULEX-i do ta vazhdojë punën për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe për sigurinë e qytetarëve.
“Apelojmë te të gjithë ata që janë përgjegjës që të përmbahen nga veprime të tjera provokuese si dhe iu bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t’i sjellin përpara drejtësisë”, thanë nga EULEX-i.
Gjatë ditëve të fundit janë shënuar disa incidente në pjesën veriore të Kosovës. Gjatë javës u raportua për një sulm në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që po përgatitej për zgjedhje në veri – zgjedhje që të shtunën presidentja Vjosa Osmani i shtyu për në prill të vitit të ardhshëm.
Në atë pjesë të Kosovës ishin planifikuar zgjedhje pas dorëheqjes të përfaqësuesve të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë në fillim të nëntorit. Lista Serbe kishte kundërshtuar vazhdimisht mbajtjen e tyre.
Pas sulmit në zyrat e KQZ-së, Policia e Kosovës e shtoi prezencën në veri, me qëllim të, siç është thënë, “sigurimit të qytetarëve”. Më vonë, më 8 dhjetor, u raportua edhe për plagosjen e një zyrtari të Policisë së Kosovës në veri.
Së fundi, autoritetet e Kosovës arrestuan ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për shkak të, siç është thënë, dëshmive se ai ka organizuar “sulmin terrorist në zyrat e KQZ-së në veri të vendit”.
Si shenjë pakënaqësie, serbët lokalë kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar disa rrugë në veri. Policia e Kosovës më vonë ka njoftuar për mbylljen e dy pikëkalimeve mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se barrikadat e vendosura në veri të Kosovës duhet të hiqen menjëherë dhe se autoritetet e Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
Ndërsa, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar të shtunën se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244, të sigurojnë dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.
(REL)