Policia raporton për disa incidente të armatosura në veri

Prishtinë, 11 dhjetor 2022 – Policia e Kosovës njoftoi se grupe të serbëve, të cilësuara “grupe kriminale” që e kanë bllokuar disa rrugë në veri të Kosovës, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri kundër njësiteve policore në rrugën që çon në pikën kufitare Bërnjak, e cila lidh Kosovën me Serbinë.

Përmes një njoftimi për media, Policia bëri të ditur se zyrtarët policorë u janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe sulmuesit janë larguar në drejtim të panjohur.

“Deri më tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar për ndonjë person të lënduar apo dëme të mundshme të shkaktuara”, thuhej në njoftim.

Policia njoftoi se të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në disa pjesë të tjera të veriut të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Të shtunën, më 10 dhjetor, grupe serbësh ngritën barrikada në rrugë, në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish-pjesëtari të Policisë së Kosovës.

Autoritetet në Kosovë thanë se arrestuan sot në Jarinjë ish-policin, Dejan Pantiq. Ai akuzohet se ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Tensionet në veri janë rritur që nga 6 dhjetori, kur u dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok. Që nga ajo kohë, autoritetet kanë raportuar se në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, ka pasur të shtëna me armë zjarri, hedhje të granatave të dorës dhe shok bombave. Po ashtu, një zyrtar policor u plagos lehtë gjatë një sulmi në Zveçan më 8 dhjetor.

Zyrtarët në Kosovë, për këto incidente fajësojnë “bandat kriminale” të “financuara dhe dirigjuara” nga Serbia, teksa Policia e Kosovës ka shtuar praninë e saj në veri. Serbia ndërkaq, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet misionit të KFOR-it me kërkesë që të dislokojë trupat serbe në Kosovë.

Për shkak të situatës së sigurisë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi për shtyrjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës. Ato janë caktuar të mbahen në prill të vitit të ardhshëm.

Zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq ishin caktuar që të mbaheshin më 18 dhjetor. Këto komuna kanë mbetur pa kryetarë që nga muaji nëntor, pas dorëheqjes së tyre.

(r.m.)