Prishtinë, 15 dhjetor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se është ende në pritje të KFOR-it për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës.
“Më së miri do të ishte që të hiqen nga ata që i kanë vendosur, mirëpo ata që i kanë vendosur ato barrikada janë vendosur edhe vetë në barrikada, madje me armatim. Nuk janë këto barrikada civile dhe, në anën tjetër, ne kemi dhënë kohën e kërkuar prej KFOR-it që ata ta bëjnë heqjen e këtyre barrikadave, dhe ministri ynë i Punëve të Brendshme po pret”, ka thënë Kurti në një intervistë për televizionin lokal në Kosovë, ATV.
Ai ka thënë se barrikadat në veri të Kosovës nuk mund të qëndrojnë aty, “jo vetëm pse shkelin ligjin dhe lëvizjen e lirë, por në të njëjtën kohë edhe për shkak se vetë qytetarët serbë janë më të bllokuarit”.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 13 dhjetor, tha se pret që barrikadat e ngritura në veri të Kosovës, të hiqen nga personat që i kanë krijuar ato.
Ndërsa i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se preferon rrugën diplomatike për heqjen e barrikadave në veri dhe jo përmes buldozerëve.
Gjashtë barrikadat e ngritura më më 10 dhjetor, bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Ky veprim i serbëve lokalë erdhi pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-zyrtarin serb të këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës. Ndaj u caktua një muaj paraburgim.
(REL)