Prishtinë, 16 dhjetor 2022 – Policia e Kosovës ka arrestuar më 15 dhjetor një person nga komuniteti serb, nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile, është thënë në një komunikatë për media të këtij institucioni.
Arrestimi i tij është thënë të jetë bërë bazuar në deklaratat e dëshmitarëve dhe informacioneve në rrugë operative.
Me vendim të prokurorit, i ndaluari është dërguar në mbajtje.
Policia e Kosovës nuk e ka bërë të ditur identitetin e tij.
Ndërkohë, Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka thënë se i arrestuari është ish-polici serb, Sllagjan Trajkoviq.
“Si po shfaqen papritmas provat kundër serbëve, sapo u larguan nga institucionet, e që nuk ekzistonin derisa ishin pjesë e institucioneve të Kosovës”, ka shkruar Petkoviq në Twitter.
Që nga fillimi i muajit nëntor, pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës në katër komunat e banuara me shumicë serbe, kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe njihet nga mbi 100 vende të botës.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e saj dhe në Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë atë si pjesë të territorit të saj.
(REL)