Kurti për dënimin e Salih Mustafës: E papranueshme që çlirimtari të gjykohet më rëndë se agresori

Prishtinë, 16 dhjetor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur “verdikt indinjues” aktgjykimin e Gjykatës Speciale për ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Në një postim në Facebook, Kurti shkruan se edhe ata pak kriminelë serbë që janë nxjerrë para drejtësisë për krime shumë të rënda të luftës në Kosovë, kanë marrë dënime shumë më të buta se z. Mustafa, i cili ka luftuar kundër agresorit gjenocidal serb.

Ai e quan të papranueshme që çlirimtari të gjykohet më rëndë se agresori dhe shpreh solidaritetin me luftëtarët e UÇK-së.

“Lufta e çdo populli kundër pushtuesve e okupatorëve është e drejtë universale. Është e papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal. Sot e gjithmonë jemi solidarë me luftëtarët dhe me UÇK-në tonë”, thekson Kurti.

Ai shkruan se Salih Mustafa ka luftuar çliririmin e vendit të tij dhe shtron pyetjen se çfarë mesazhi u jepet ukrainasve që sot luftojnë kjundër agresionit rus.

“Ky verdikt është indinjues. Cili është mesazhi që i jep ky verdikt ukrainasve që sot luftojnë kundër agresorit?”, thekson ai.

Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka qenë kundër krijimit të Dhomave të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, të njohura si Gjykata Speciale. Kjo parti, ka qenë për gjykimin e të gjithë të dyshuarve për krime lufte, serbë dhe shqiptarë, në gjykatat e Kosovës. Deputetët e saj, përfshirë vetë Kurtin, nuk kanë marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës kur është votuar për formimin e Gjykatës Speciale.

Salih Mustafa u dënua me 26 vjet burgim për krime lufte.

Postimi i plotë i Kurtit:

Masakruesi i familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, i cili vrau 16 civilë shqiptarë të papërfshirë në luftë, anëtari i njësitit famkeq që mori pjesë edhe në Masakrën e Srebrenicës ‘’Shkorpjonët’’, Sasha Cvjetani, u pat dënuar me vetëm 20 vite. Ai madje ishte liruar në vitin 2018, 3 vite e gjysmë para përfundimit të dënimit për siç thuhej “sjellje të mirë’’, edhe pse ka vrarë fëmijë që kanë qenë duke fjetur. Sasha Cvjetani ka qenë pjesë e rezervistëve të Serbisë, që u angazhuan për gjenocid në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Ndërkohë vetëm dje e kuptuam që ai para ca ditësh është arrestuar në Athinë të Greqisë si pjesë e një karteli të drogës.

Ndërkohë ka mijëra vrasës nga Serbia që kurrë nuk janë dënuar e as gjykuar për mizoritë që i kanë bërë në Ballkan. Vetëm 26 serbë janë dënuar për mbi 12.000 të vrarë dhe mbi 20.000 të dhunuar seksualisht në Kosovë. I bie që secili prej të dënuarve serbë mesatarisht të ketë vrarë mbi 462 shqiptarë dhe të ketë dhunuar 770 syresh.

E megjithatë ata kanë marrë dënime shumë më të lehta se ai që iu dha sot Salih Mustafës, i cili ka luftuar jo për të pushtuar ndonjë vend tjetër, por për të çliruar vendin e vet.

Ky verdikt është indinjues. Cili është mesazhi që i jep ky verdikt ukrainasve që sot luftojnë kundër agresorit?

Mbetem me shpresën se institucionet e pavarura të drejtësisë do ta kuptojnë padrejtësinë dhe do të reflektojnë në shkallët e tjera të gjykimit.

Lufta e çdo populli kundër pushtuesve e okupatorëve është e drejtë universale. Është e papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal. Sot e gjithmonë jemi solidarë me luftëtarët dhe me UÇK-në tonë.

(r.m.)