Rama sfidon ndërkombëtarët për amnistinë fiskale: “Do ta bëjmë me çdo kusht”

Tiranë, 18 dhjetor 2022 – Kryeministri Edi Rama ka sfiduar komunitetin ndërkombëtar që është kundër Amnistisë Fiskale në Shqipëri. Ai ka thënë se qeveria e tij “nuk ka nevojë për mbështetje” dhe se amnistia “do të bëhet me çdo kusht”, raporton Balkanweb.

“Unë dua t’i siguroj të gjithë ata që janë në emigracion dhe që sot vuajnë për të sjellë në Shqipëri edhe ato remitanca që sjellin, një pjesë të madhe të të cilave i sjellin në rrugë informale, që të jemi realistë që ne do ta bëjmë amnistinë fiskale, me çdo kusht dhe me çdo të drejtë që kemi për ta bërë, dhe kam shumë besim se edhe bashkësia ndërkombëtare edhe sidomos Bashkimi Europian do ta kuptojë dhe ne nuk kemi nevojë që ta mbështesë, sepse është e pakuptimtë edhe ta kërkosh që ta mbështesë, por nuk do ta pengojë dhe do të pranojë principin e të drejtës, duke shfrytëzuar nga ana e vetë, të drejtën për ta monitoruar këtë proces”,ka thënë Rama, të dielën, në takimin me Këshillin Koordinues të Diasporës.

Rama ka theksuar se do ta bëjë amnistinë fiskale, pavarësisht se përfaqësuesit ndërkombëtarë në Shqipëri, Bashkimi Evropian dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri kanë dalë kundër nismës për shkak të rreziqeve që sjell.

“… është një padrejtësi shumë e madhe dhe është edhe e papranueshme që në këtë lloj debati ne të përballemi me këdo qoftë që nuk e kupton, që nuk mund të na paragjykojë si një vend që edhepse e ka të drejtën e vet kushtetuese, edhe pse e ka të domosdoshme ta bëjë, edhe pse sot qartësisht kjo është një masë që mbështetet masivisht nga qytetarët e vendit, nuk e paska të drejtën ta bëjë, madje u dashka frenuar me lloj-lloj formash, nga ato format e papranueshme në emër të, nuk e di, të gjitha vlerave dhe parimeve që recitohen bukur, por që, në fakt, ndonjëherë përdoren për të fshehur ca të vërteta shumë të thjeshta, duke na vendosur para një pamundësie të palogjikshme”, ka thënë Rama.

Projektligji për amnistinëfiskale i hartuar nga qeveria shqiptare është kundërshtuar fuqishëm nga aleatët kryesorë të Shqipërisë, SHBA dhe BE, por Rama këmbëngul të çojë përpara këtë nismë, aq shumë të kritikuar pavarësisht paralajmërimit se mund të rrezikojë dhe rrugën europiane të Shqipërisë.

 Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, para nisjes së dialogut strategjik mes qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverisë shqiptare, tha se kjo e fundit duhet ta përshtatë amnistinë fiskale me kërkesat e BE-së.

Escobar tha për Zërin e Amerikës se SHBA-ja ka shqetësime në lidhje me këtë nismë dhe ato i ka diskutuar me qeverinë shqiptare.

Dhoma amerikane e Tregtisë ka vlerësuar se rreziqet e amnistisë  fiskale i tejkalojnë ndjeshëm përfitimet e tij.

“Projektligji parashikon deklarimin vullnetar të një pasurie në vlerë monetare deri në 2 milionë euro, pa specifikuar burimin e tyre, e cila legalizohet kundrejt një takse nga 5-10 përqind, pa asnjë përgjegjësi penale, pavarësisht se fondet mund të jenë krijuar si pasojë e krimeve të ndryshme financiare, si evazion fiskal, kontrabandë, apo mashtrime me TVSH-në.

(r.m.)