Prishtinë, 18 dhjetor 2022 – Disa dhjetra serbë, anëtarë të grupeve radikale, kanë protestuar të dielën në territorin e Serbisë afër vendkalimit kufitar me Kosovën, në Jarinjë, në shenjë mbështetjeje për serbët që kanë vendosur barrikada në rrugët në veri të Kosovës.
Protestuesit kanë brohoritur “Kosova është zemra e Serbisë”. Ata e kanë djegur një pankartë me mbishkrimin “Marrëveshja e Brukselit”, duke kundërshtuar kështu çfarëdo marrëveshjeje që mund të arrihet mes Kosovës e Serbisë, në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Policia serbe e ka krijuar një kordon në afërsi të kufirit, për të parandaluar afrimin e protestuesve te vendfkalimi kufitar në jarinjë.
Protestuesit kanë thyer kordonin policor, ndërsa disa prej tyrte janë përleshur me forcat policore, mirëpo policët serbë e kanë formuar një kordon të ri, më pranë kufirit me Kosovën.
Në disa foto të publikuara në platformat online, shihet se protestuesit insistojnë t’i afrohen pikës kufitare, ku janë vendosur trupa shtesë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Mediet në vendin e ngjarjes raportojnë për arrestimin e së paku një personi.
Protesta është thirrur nga grupe djathtiste serbe, siç është organizata ekstremiste “Patrulla Kombëtare”. Ajo ka bërë thirrje që protestës t’i bashkohen mbështetës të saj nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika Sërpska.
“Patrulla Kombëtare” njihet për veprimet e saj kundër emigrantëve, për glorifikimin e kriminelëve serbë të luftës dhe për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.
Kjo organizatë është e lidhur me grupin e ekstremit të djathtë “Rusov” dhe me grupin paraushtarak rus “Vagner”.
(r.m.)