Erdogan kërcënon sërish Athinën: “Mund t’ju vijmë papritur një natë”

Ankara, 18 dhjetor 2022 – Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka folur sërish për raketën “Tajfun”, e cila, sipas tij, do të arrijë një rreze prej 1 mijë kilometrash. Ai ka thënë se kjo gjë i bën grekët “të kërcejnë” nga frika.

“Si po na thërrasin? Po vijnë turqit e çmendur. Sidomos për raketën Tajfun thanë se rrezja e saj arrin 560 kilometra. Patëm një takim tjetër javën e kaluar. ‘Cila është gjendja përfundimtare në të cilën jemi?’, e pyeta. ‘Do të arrijmë 1000 kilometra’, m’u përgjigjën ekspertët. A nuk i bën kjo grekët të kërcejnë?” ka thënë presidenti turk.

“Greqia nuk duhet të ngatërrohet me ne. Ne u thamë atyre se mund të dalim nga askundi një natë dhe ne mund ta vërtetojmë këtë. Nëse ata nuk pushojnë së provokuari në Egje, ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme. Ne nuk kemi asnjë mosmarrëveshje me ju në Egje”, ka shtuar ai.

Erdogan i ka bërë këtë deklaratë në qytetin e Mardinit, para se të nisej për në Katar, ku ishte ftuar për të parë ndeshjen finale të Kampionatit Botëror të futbollit.

Mediat greke shkruajnë se këto deklarata vijnë pas takimit sekret greko-turk mes Anna-Maria Boura, drejtoreshë e Zyrës Diplomatike të Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis dhe Ibrahim Kalin, përfaqësues dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Ky takim është zhvilluar të premten, në Bruksel, me qëllim që të shihen mundësitë për rifillimin e kontakteve diplomatike mes dy vendeve. Në takim ka qenë i pranishëm edhe  këshilltarit diplomatik të kancelarit gjerman Olaf Scholz.

(r.m.)