Abraham: Zhvillimet aktuale i dëmtojnë aspiratat e Kosovës dhe të Serbisë

Berlin, 21 dhjetor 2022 – Deputeti gjerman, Knut Abraham, ka shprehur shqetësimet për zhvillimet aktuale në pjesën veriore të Kosovës. Ai ka thënë se këto zhvillime dëmtojnë aspiratat e Kosovës dhe të Serbisë për integrim në Bashkimin Evropian.

“Jam shumë i shqetësuar për zhvillimet në veri të Kosovës, sepse situata këtu po përkeqësohet. Dhe kjo është absolutisht e dëmshme për aspiratat e përbashkëta të Serbisë dhe Kosovës drejt Evropës”, ka thënë Abraham, në një intervistë për radion Deutsche Welle.

Abraham ka thënë se Serbia duhet të kuptojë se nuk mund të zhvillojë negociata për anëtarësim  në BE dhe të “luajë me zjarr” në pjesën veriore të Kosovës.

“Është e nevojshme të flitet me të dyja palët. Mbi të gjitha, shoh se pala serbe duhet të kuptojë se nuk mund të ketë një qasje të dyfishtë. Nuk është e mundur të zhvillohen normalisht negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian dhe në të njëjtën kohë të luhet me zjarrin në veri të Kosovës”, ka thënë ai.

Deputeti gjerman ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të analizojë me mençuri veprimet e saj, ndonëse ato janë të ligjshme

“Sigurisht, e kuptoj plotësisht se Qeveria e Kosovës, si qeveri e një shteti sovran, dëshiron të zbatojë rregullat që vlejnë për të gjithë njerëzit në territorin e saj. Megjithatë, Qeveria e Kosovës duhet të mendojë për çdo hap, nëse e ndihmon qëllimin apo jo. Pra, kam mirëkuptim që ajo dëshiron të zbatojë vendimin për targat, por duhet të merret parasysh nëse është kaq e mençur të zbatohen dënimet. Këshilla jonë është që me mençuri të mendohet për pasojat e dyta dhe të treta të masave që merren. Për agjitatorët dhe ekstremistët është e lehtë kur ka një çështje që shqetëson edhe njerëzit e zakonshëm, atëherë edhe njerëzit e zakonshëm janë të gatshëm të mirëpresin gjëra që ata zakonisht nuk i mirëpresin”, është shprehur ai.

Abraham ka theksuar se palët duhet t’i kthehen dielogut, pavarësisht se tani mungon ajo fryma pozitive që e karanterizonte dialogun në fillim të tij.

“Duke parë marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013, më kujtohet se atëherë kishte shpresa për një normalizim të marrëdhënieve, flitej për menaxhim kufijsh dhe institucione rajonale etj. Sot për fat të keq, ka mbetur shumë pak nga kjo frymë. Prapëseprapë, bisedimet kanë vlerën e tyre, palët duhet të ulen në tryezë edhe nëse ato i bërtasin njëra-tjetrës. Pra, dialogu nuk duhet të shpallet kurrsesi si i dështuar. Por duhet pranuar se për momentin nuk ka asnjë lëvizje. Kjo është arsyeja pse të dyja palëve u duhet thënë qartë që të kthehen në bisedime. Pa një modus vivendi, pa një marrëveshje për bashkëjetesë, do të jetë e vështirë për të dy vendet që të vijnë në Evropë”, ka theksuar ai.

Deputeti demokristian është pyetur edhe për planin franko-gjerman. Ai ka thënë se ky plan mund të jetë një zgjidhje në planin afatgjatë, por ka shtuar se për zbatimin e tij, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, nevojitet krijimi i besimit të komunitetit serb.

“Unë besoj se kjo është një zgjidhje që mund të ndodhë në planin afatgjatë. Një masë e tillë kërkon besim absolut në besnikërinë e qytetarëve që i përkasin një kombësie tjetër. Dhe nëse kjo besnikëri nuk ekziston, siç po vihet re tani, duke pasur parasysh shembujt negativë në veri të Kosovës, atëherë mungon fundamenti për një asociacion të tillë të komunitetit serb. Në terma afatgjatë, mendoj se kjo është një ide, së cilës mund t’i qaset një shteti i fortë dhe sovran. Por kërkon bazamentin e duhur dhe një plan. Dhe një hap i tillë nuk mund të bëhet me detyrim, kur besimi mungon në mënyrë të dukshme”, ka thënë deputeti gjerman Knut Abraham, në intervistën dhënë Radios Deutshe Welle.

(r.m.)