Beograd, 21 dhjetor 2022 – Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, ka thënë se autoritetet e Serbisëduhet të heqin dorë nga deklaratat dhe veprimet nxitëse të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.
Në një deklaratë për gazetën “Danas”, ajo ka thënë se Presidenti, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit të Serbisë duhet të ndalin deklaratat dhe veprimet që i nxisin grupet dhe partitë ekstremiste të mblidhen për të shkuar në front.
“Mos i çmendni qytetarët, veçanërisht serbët në Kosovë, mbi kthimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë së Serbisë në Kosovë. Ndërpritni lojërat e rrezikshme politike – largimin nga institucionet e Kosovës, ngrirjen e mandateve, persekutimin e serbëve të Kosovës që nuk pajtohen me keqpërdorimet e institucioneve. Qetësimit të situatës do t’i kontribuonte edhe largimi nga skena publike i drejtorit të Zyrës për Kosovën, i cili me retorikën e tij helmuese e turpëron çdo qytetar dinjitoz të Serbisë. Është prioritet fillimi i një debati profesional për propozimin gjermano-francez për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pa pjesëmarrjen e ‘patriotëve politikë’”, ka thënë zonja Kandiq.
Ajo ka thënë se edhe Kryeministri i Kosovës duhet të dëshmojë se ai Lufton për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim.
“Ai ka bërë gjëra të mira për të eliminuar diskriminimin e shqiptarëve në Republikën e Serbisë, kishte të drejtë të kërkonte respektimin e simboleve të Kosovës nga të gjithë ata që jetojnë në atë vend, por tani le të tregojë se po lufton njësoj edhe për mirëqenien e serbëve dhe të joshqiptarëve të tjerë’, ka thënë zonja Kandiq.
Ajo ka thënë gjithashtu se Kryeministrji i Kosovës duhet të nisë pa vonesë procesin e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë.
Natasha Kandiq e ka bërë këtë deklaratë në përgjigje të thirrjes së kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, drejtuar shoqërisë civile që të shprehë qëndrimin lidhur me zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës.
“Jemi në prag të konfliktit të armatosur, për shkak të veprimeve të Prishtinës. U lutem organizatave joqeveritare që të deklarohen për torturat që po i përjetojnë serbët në Kosovë”, ka thënë Bërnabiq.
(r.m.)