Moskë / Kiev, 23 dhjetor 2022 – Rusia paralajmëroi se nuk do t’i japë fund luftës në Ukrainë derisa t’i arrijë qëllimet e saj ushtarake.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se lufta do të përfundojë në tryezën e bisedimeve vetëm pasi Rusia të arrijë qëllimet e vendosuara nga “operacion i posaçëm ushtarak”. Sipas tij, Rusia “ka shënuar përparim të rëndësishëm në çmilitarizimin e Ukrainës”.
Peskov tha se asnjë plan paqesor ukrainas nuk mund të ketë sukses pa marrë parasysh realitetet e sotme, të cilat, siç tha ai, “nuk mund të injorohen’.
Kështu ai iu referua kërkesës së Moskës që Ukraina ta njohë sovranitetin e Rusisë mbi gadishullin e Krimesë, të aneksuar prej saj në vitin 2014, si edhe mbi territoret e tjera që janë nën kontrollin e Rusisë.
Ndërkaq, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili u kthye në Kiev nga vizita në Shtetet e Bashkuara, tha se forcat ukrainase po luftojnë “me objektiv arritjen e fitores”.
“Ukraina do të kapërcejë gjithçka”, shkruan Zelensky, në një postim në llogarinë e tij në Telegram.
Ai veçon paketën e re të ndihmës ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, me vlerë 1.8 miliardë dollarë, dhe e falenderon Holandën për premtimin e ndihmës prej 2.5 miliardë dollarësh për blerjen e pajisjeve ushtarake dhe për rindërtimin e infrastrukturës kritike në Ukrainë.
Ndërkohë, Rusia ka vazhduar sulmet me artileri, mortaja e raketa në disa rajone të Ukrainës. Autoritetet ukrainase njoftuar se të paktën pesë civilë janë vrarë dhe 18 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ruse në tetë rajone në jug dhe lindje të Ukrainës, gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, qytetet e Bakhmutit e Lymanit, si edhe linja e frontit mes Luhanskut dhe Kharkivit po mbajnë peshën kryesore të sulmeve ruse.
(r.m.)