Marrëveshja e Brukselit u miratua në një atmosferë të tensionuar, me kundërshtime, akuza, fyerje e etiketime, madje edhe me akte të dhunshme. Kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqit, iu desh edhe ndihma e personelit të sigurisë fizike për krijimin e kushteve për votimin e marrëveshjes, pasin deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje” u përpoqën ta pamundësojnë.
Ramadan Muçolli
Prishtinë, 27 qershor 2013 – Projektiligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, e arritur në takimet e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, të cilat janë zhvilluar nën përkujdesjen e shefes së diplomacisë evropiane, Baroneshës Ketrin Eshton, u ratifikua me votat e më shumë se dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Votimi i projektligjit për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje u bë në një atmosferë tepër të tensionuar, brenda dhe jashtë sallës së kuvendit. Deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje” përdorën mjete të ndryshme për pengimin e procesit të votimit. Në momentin që kryeparlamentari Krasniqi vuri në votim projektiligjin, ata ia uzurpuan me forcë tavolinën. Madje, lideri i lëvizjes Albin Kurti ia hoqi Krasniqit edhe mikrofonin, ndërsa ky i fundit u përpoq ta mbronte atë. Në këtë situatë, kryeparlamentari u detyrua të ndërpriste seancën derisa të krijoheshin kushtet për punë normale dhe të kërkonte ndihmën e “bodigardëve” të kuvendit, të cilët e liruan hapësirën e kryesisë së kuvendit duke nxjerrë jashtë sallës deputetët e “rebeluar”.
Deputetët e “Vetëvendosjes” kundërshtuan në mënyra të ndryshme ratifikimin e Marrëveshjes. Gjatë gjithë kohës së diskutimeve të deputetëve, mu para foltores, dy deputetë të kësaj lëvizjeje e mbajtën lart pankartën “Kosova e Hashimit”. Në këtë mënyrë ata demonstruan kundër marrëveshjes për normaliziminn e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, të cilën ia atribuojnë plotësisht kryeministrit të Kosovës.
Albin Kurti shqiptoi akuza të rënda në adresë të kryeministrit dhe të anëtarëve të kabinetit të tij qeveritar, duke i quajtur kriminelë. Ai u bëri thirrje ndërkombëtarëve që të mos e përkrahin qeverinë.
“Faktorëve ndërkombëtarë që janë këtu lart dhe në fund u kisha bërë thirrje: mos e përkrahni ‘Vetëvendosjen’. S’keni nevojë ta përkrahni ‘Vetëvendosjen’, por flisni të vërtetën për këta kriminelë”, tha Kurti, duke drejtuar gishtin kah kryeministri dhe ministrat.
Kryeparlamentari Krasniqi kërkoi nga deputetët e “Vetëvendosjes” që të heqë dorë nga veprimet e tilla, të cilat i quajti jodemokratike. Ai tha se askush, pra as “Vetëvendosja” nuk duhet të përdorë metoda joparlamentare dhe metoda që bien ndesh me Kushtetutën dhe me aktet ligjore në fuqi.
“Kërkoj të uleni dhe të lejoni vazhdimin normal të seancës”, tha Krasniqi.
Por, Kurti shpërfilli thirrjen e Krasniqit. Madje, aI thirri në ndihmë edhe ambasadoren amerikane, përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian dhe të gjithë ambasadorët e huaj në Kosovë.
“J e dini çfarë kriminelësh janë këta prapa meje. Por, ju duhet të flisni të vërtetën “, tha Kurti e pastaj atij iu ndërpre mikrofoni.
Përkundër fyerjeve e etiketimeve, kryeministri Thaçi u përpoq të shpërfillte thirrjet e “Vetëvendosjes” dhe u bëri apel deputetëve që ta ratifikojnë marrëveshjen.
“Arritja e Marrëveshjes ndërlidhet me qëllimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të respektohet në tërësi obligimi kushtetues për zbatimin e pikës pesë të Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, të aprovuar nga një shumicë e madhe demokratike e Kuvendit të Kosovës, në tetor 2012”, tha kryeministri Thaçi.
Pastaj, ai foli gjerësisht për rrugën e gjatë deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës, për t’u fokusuar te bisedimet që rezultuan me Marrëveshjen e Brukselit të 19 prillit.
“Rezultatet që dha dialogu teknik kanë rrëzuar parashikimet e shumë skeptikëve dhe kundërshtarëve më të mëdhenj të këtij dialogu. Dialogu teknik rezultoi me një numër të marrëveshjeve të arritura, të cilat, në masë të madhe, kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës pa dallime etnike, fetare apo politike, siç edhe e përcakton Kushtetuta jonë”, theksoi Thaçi.
Kryeministri foli edhe për objektivat që duhet të arrihen pas ratrifikimit të marrëveshjes që kundërshtohet aq fort nga “Vetëvendosja”.
“Marrëveshja hap rrugën për vendosjen e stabilitetit në veri të Kosovës, përmes transformimit rrënjësor të gjendjes aktuale të sigurisë, si dhe të kushteve politike dhe ekonomike”, theksoi ai.
“Integrimi me kohë i autoriteteve gjyqësore brenda sistemit ligjor dhe të drejtësisë së Kosovës është esencial dhe ne konsiderojmë se ky kompozim i sistemit gjyqësor do të rrisë besimin e komuniteteve në gjykatat e Kosovës, do të përmirësojë marrëdhëniet ndër-etnike, dhe mbi të gjitha do të vendosë sundimin e ligjit në veri të vendit, që ka munguar në 14 vitet e fundit. Si rezultat i kësaj marrëveshje, ne, për herë të parë pas 14 vjetëve, do të jemi në gjendje të organizojmë zgjedhjet komunale në veri të Kosovës, në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën mënyrë, siç do të bëhet në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, theksoi kryeministri Thaçi.
Me këtë rast, ai falënderoi të gjithë liderët e partive politike të Kosovës që i kanë dhënë mbështetje marrëveshjes dhe që e kanë përkrahur vendimin që zgjedhjet lokale në Kosovë të mbahen më 3 nëntor.
Ratifikimi i Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë në Kuvendin e Kosovës u bë në ditën e fillimit të Samitit të Bashkimit Evropian, ku do të shqyrtohen sugjerimet e ministrave të Jashtëm që Kosovës t’i jepet data e fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, ndërsa Serbisë t’i caktohet data për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Arritja e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë konsiderohet si përmbushje e një kriteri të rëndësishëm për proceset integruese të të dyja vendeve në Bashkimin Evropian. Për këtë arsye, thirrjeve për ratifikimin e saj në Kuvendin e Kosovës i janë bashkuar edhe zyrtarë të lartë dhe diplomatë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.