Nga Ruben Avxhiu
Krishtlindja e viti 2009 ishte e para e Presidentit Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë dhe bashkëshortja e tij Michelle donte të bënte diçka të re që nuk ishte provuar më parë.
Fitoi ideja që Pema tradicionale e Krishtlindjes të bëhej me zbukurime nga komunitetit etnike të Amerikës, për ta kthyer në një simbol të bashkimit të të gjitha kulturave dhe traditave të vendit.
U vendos që të kishte zbukurime nga 60 komunitete etnike dhe për t’i zgjedhur iu kërkua ndihmë Komitetit Kombëtar Demokrat për Koordinim Etnik.
Një nga themeluesit dhe dikur drejtor i tij i parë ishte shqiptaro-amerikani Ilir Zherka, i cili menjëherë siguroi që një komunitetet përfaqësuese të ishin edhe Shqiptarët e Amerikës. Ai u kërkoi ndihmë edhe dy veprimtarëve të tjerë me të cilët kishte bashkëpunuar më parë Kushtrim Shaqiri dhe Donika Bardha për të gjetur përfaqësuesin më të mirë për këtë mision.
Mes disa artistëve shqiptaro-amerikanë që u shqyrtuan u zgjodh Pashka Elezi nga Sterling Heights, Michigan.
Dekorimet e saj, të cilat mund t’i shihni në fotografi u bashkuan me qindra të tjera nga mbarë vendi dhe u vendosën në pemën historike të asaj Krishtlindjeje në Shtëpinë e Bardhë.
Dekorimet shqiptare kishin si tema: Nënë Terezën, Skënderbeun, një kryeqëzim të flamujve shqiptar e amerikan, instrumentin e lashtë të Çiftelisë, një moment i takimit të Papa Gjon Palit II me shqiptarë të Amerikës, fotografi të vjetra historike nga jeta në komunitetin shqiptar në SHBA, si dhe kostume tradicionale shqiptare.
Pak javë më parë, me rastin e 28 Nëntorit, Presidenti Obama kishte lëshuar një deklaratë ku i cilësontë shqiptaro-amerikanët si “pjesë e rëndësishme e shoqërisë amerikane”. Tani kjo pemë dukej si provë fizike e atij imazhi.