Në meshën e Krishtlindjes në Prishtinë, thirrje për paqe

Prishtinë, 25 dhjetor 2022 – Në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë mbrëmë në mesnatë është mbajtur mesha e shenjtë e Krishtlindjes.

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili e udhëhoqi meshën bëri thirrje për paqe. Ai tha se paqja e njerëzve mbi tokë është “dhuratë që vjen prej Zotit dhe i afrohet njerëzimit”.

“Shpresa dhe lumturia nuk gjenden në pasurinë e tokës, as tek politika e pushteti, as te lavdia, por në mënyrë të mistershme fshihet brenda dhuntive dhe hireve që i marrim prej Zotit”, tha ai gjatë meshës.

Ai shprehu keqardhje për luftën në Ukrainë dhe theksiu se “në botën në të cilën jetojmë, mosdurimi, urrejtja dhe konfliktet vazhdojnë të kërcënojnë dhe rëndojnë jetët e njerëzve dhe të ardhmen e popujve”.

Imzot Dodë Gjergji tha se lutet edhe për gratë që janë vrarë ose vazhdojnë të keqtrajtohen “nga ata që duhet të ju dhurojnë dashuri”, nga bashkëshortët e tyre.

“Jemi dëshmitarë se çfarë po ndodhë në vendin tonë. Mungesa e luftës dhe paqja e detyruar nuk ka krijuar kushte për pajtim, por vetëm sa ka akumuluar urrejtjen dhe mosbesimin”, tha ai.

Imzot Dodë Gjergji theksoi se secili njeri duhet të ruhet nga gjuha e urrejtjes dhe nga veprimet që nuk çojnë drejt pajtimit, por drejt konfliktit.

“Të përfshirët në lehtësimin e dialogut nuk duhet të presin që pajtimi të vijë vetvetiu, por të angazhohen më seriozisht dhe të jenë më të drejtë në gjykimet dhe propozimet e tyre, në mënyrë që të mos lejohet që një konflikt i ri të mos vijë në rajon”, tha ai.

Me rastin e festës së Krishtlindjes, Ipeshvkia e Kosovës organizoi edhe pritjen solemne, në të cilën morën pjesë personalitete nga jeta politike dhe kulturore.

Kryeministri i Kosovës, Alin Kurti, i cili mori pjesë në këtë pritje i uroi Ipeshkvit Dodë Gjergji dhe besimtarëve katolikë Krishtlindje të gëzuar.

Presidentja Vjosa Osmani, i uroi të gjithë besimtarët e krishterë, siç tha, që në këtë ditë ta rrisin shpresën e t’i hapin zemrat.

“Në shtëpinë e secilit të mbizotërojë shëndeti, lumturia e paqja! Të jemi solidarë, të reflektojmë harmoni e të festojmë bashkë”, shkroi ajo në Facebook.

Krishtlindja është festa më e rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera dhe festohet çdo vit në natën mes 24 dhe 25 dhjetorit.

(r.m.)