Prokuroria Speciale: Dejan Pantiq u lirua nga paraburgimi për arsye shëndetësore

Prishtinë, 28 dhjetor 2022 – Prokuroria Speciale e Kosovës ka shpjeguar arsyet për kërkesën e zëvendësimit të masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak  për ish-policin Dejan Pantiq, i cili është i dyshuar për veprën penale “sulm terrorist”.

Në komunikatën e prokurorisë shpjegohet se më 12 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte caktuar Pantiqit masën e paraburgimit, për veprën penale “sulm terrorist”, por ai nuk u fërgua në paraburgim, siç kërkohet me ligj, për shkak të rrethanave të krijuara me vendosjen e barrikadave në rrugët kryesore në pjesën veriore të Kosovës.

Më tutje, shpjegohet se ekipet mjekësore të EULEX-it kanë konstatuar se Pantiqi ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe kanë rekomanduar trajtimin e tij në një qendër spitalore, por as ky rekomandim nuk u realizua, po për shkak të barrikadave.

“Pas vizitave të ekipeve mjekësore të EULEX-it, të cilët kanë konstatuar gjendje jo të mirë shëndetësore për të pandehurin, ata kanë rekomanduar trajtim në një qendër spitalore, megjithatë as ky rekomandim nuk u realizua”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Aty thuhet se Prokuroria kërkoi zëvendësimin e masës së paraburgimit me  masën e arrestit shtëpiak ekskluzivisht për arsye shëndetësore.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke u bazuar në aspektin shëndetësor dhe njëkohësisht aspektin human, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë zëvendësimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Pantiq, pasi që i njëjti ishte në pamundësi t’i gëzojë të drejtat që u takojnë të paraburgosurve në qendrat e paraburgimit”, thuhet në komunikatë.

Ky shpjegim i Prokurorisë Speciale erdhi pas reagimeve publike të kryeministrit Albin Kurtid he ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në të cilat shprehet habi për lirimin e Pantiqit nga paraburgimi, ndonëse ai është i dyshuar për veprën penale “sulm terrorist”. 

(r.m.)