Prishtinë, 28 dhjetor 2022 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) është shprehur thellësisht i shqetësuar me deklaratat e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të vartësve të tij lidhur me vendimin për zëvendësimin e masës së sigurisë të paraburgimit me masën e sigurisë arrest shtëpiak për ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Vendimi për zëvendësimin e masës së sigurisë për Pantiqin është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën themelore të Prishtinës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Në një komunikatë të KPK-së thuhet se “reagimet e tilla të Kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij janë tendencë për ndërhyrje në punët dhe në pavarësinë e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës”.
“Po ashtu, KPK shpreh indinjatën e thellë me kërkesën e Kryeministrit Kurti për t’u informuar me emrin e prokurorit, i cili ka bërë kërkesë për ndërrimin e masës ndaj të pandehurit Pantiq, nga se kjo, përveç që ndikon në punën e pavarur të prokurorit, mund të nxisë edhe reagime që do mund të rrezikojnë jetën e tij”, thuhet në komunikatë.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës mbështet të gjitha vendimet e prokurorëve që janë të mbështetura në ligj dhe u bën thirrje për të vazhduar punën e tyre të pavarur e profesionalisht dhe të mos ndikohen nga asnjë lloj ndërhyrjeje apo presioni”, thuhet më tutje bë komunikatë.
“Kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij, KPK ju bën thirrje të respektojnë punën e institucionit të pavarur të Prokurorit të Shtetit, ngase tentativat për ndërhyrje do të mbesin vetëm si të tilla”, përfundon komunikata e KPK-së.
Edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka reaguar sot pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti se është kureshtar të dijë se cili është prokurori që e bëri kërkesën dhe cili gjyqtar e aprovoi ndërrimin e masës ndaj Dejan Pantiqit, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka shprehur shqetësimin për kërkesën e Kryeministrit Kurti që të mësojë emrat e prokurorit që ka kërkuar ndërrimin e masës së sigurisë për Pantiqin dhe të gjyqtarit që e ka miratuar këtë kërkesë.
Kryeministri Kurti ka thënë se është i habitur me vendimin për ndërrimin e masës së sigurisë për Pantiqin. Ai ka thënë se është kureshtar të dijë se kush është prokurori që ka bërë kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Pantiqit dhe cili është gjyqtari që e ka aprovuar këtë kërkesë.
(r.m.)