Hiqet barrikada në territorin e Serbisë, rihapet pika kufitare në Merdar

Prishtinë / Beograd, 29 dhjetor 2022 – Policia e Kosovës njoftoi se pika e kalimit kufitar me Serbinë në Merdar është rihapur për qarkullim në të dyja drejtimet.

“Njoftojmë qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë se pikë kalimi kufitar ‘Merdar’ është liruar për qarkullim dhe i është kthyer normalitetit të plotë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në njoftim thuhet se rihapja e pikës kufitare është bërë në orën 9 e 50 të mëngjesit, pas zhbllokimit të rrugës në territorin e Serbisë.

Radio Evropa e Lirë raportoi se barrikada, e cila ishte vendosur më 27 dhjetor dy kilometra larg pikës kufitare të Merdarit, në territorin e Serbisë, është hequr të enjten në mëngjes.

Personat që kanë qenë në vendin ku ishte vendosur barrikada kanë thënë se janë të kënaqur me marrëveshjen e arritur të mërkurën në mbrëmje, e cila çoi në vendimin e serbëve që t’i heqin të gjitha barrikadat. Ata kanë thënë se vendosjen e barrikadës në afërsi të pikës kufitare në Merdar e kishin bërë në koordinim me pjesëtarët e komunitetit serb nga Kosova.

Të mërkurën, në mbrëmje vonë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se përfaqësuesit e serbëve janë pajtuar për heqjen e barrikadave pasi kanë marrë garanci për plotësimin e kushteve të vendosura prej tyre.

Vuçiq ka paralajmëruar se largimi i barrikadave në pjesën veriore të Kosovës do të nisë të enjten në mëngjes dhe do të zgjasë 24 deri 48 orë.

(r.m.)