Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Së bashku me aplikimin përkatës, personat që bëjnë kërkesë për green card për arsye bashkimi familjar, duhet të paraqesin edhe formularin I-693, Report of Medical Examination and Vaccination Record, në mënyrë që të përshpejtojnë kohën e procesimit të aplikimit.
Shërbimi i Nënshtetësisë dhe i Emigracionit të Shteteve të Bashkuara (USCIS) i ka bërë të ditur publikut se po e bën më përfshirëse politikën që mundëson shmangien e intervistës paraprake për ata që aplikojnë për green card me bazë bashkimin familjar. Kjo do të thotë që USCIS-i mund të marrë vendim duke u bazuar vetëm në dokumentet e paraqitura pa qenë nevoja që anëtarët e familjes, të përfshirë në aplikim, të paraqiten për intervistë. Për këtë arsye, USCIS-i po i nxit aplikantët që në momentin që paraqesin kërkesën, së bashku me aplikimin të paraqesin edhe formularin që lidhet me kontrollin mjekësor (I-693) në mënyrë që të mos jetë e nevojshme më vonë të lëshohet një kërkesë për dokumenta të tjerë provë (RFE). Zakonisht USCIS-i u dërgon RFE aplikantëve në ato raste kur për të marrë vendim për një aplikim të caktuar, nevojiten dokumenta dhe dëshmi shtesë. USCIS-i nuk është në gjendje të ofrojë metodat e sakta që përcaktojnë se cilat raste mund të përjashtohen nga kërkesa për të dhënë intervistë. Megjithatë, u theksua që diçka e tillë mund të vendoset në momente të ndryshme gjatë procesit të vendimmarrjes.
Kontrolli mjekësor
Dikush që kërkon të marrë green card ndërkohë që gjendet në Shtetet e Bashkuara, duhet të përdorë formularin Form I-693 për të treguar që nuk vuan nga ndonjë sëmundje e cila mund të shërbejë si arsye për të mos u pranuar në Shtetet e Bashkuara. Si rregull, kontrolli mjekësor për arsye emigrimi kryhet nga një mjek i autorizuar nga USCIS-i (civil surgeon) në përputhje me rregulloren e departamentit amerikan përkatës të kujdesit shëndetësor HHS (Health and Human Services).
Formulari I-693 që paraqet aplikanti duhet të nënshkruhet nga një civil surgeon jo më shumë se 60 ditë përpara datës së dorëzimit të aplikimit për green card (Formulari I-485). Formulari I-693 përcakton se aplikanti nuk vuan nga ndonjë sëmundje e kategorisë A dhe ka përmbushur kërkesat për vaksinim ose ka marrë leje që të përjashtohet nga kërkesa për t’u vaksinuar. Nëse USCIS nuk merr vendim për aplikimin brenda dy viteve që nga data kur mjeku nënshkroi Formularin I-693, aplikanti duhet të paraqesë një formular të ri.
Formulari i ri për Green Card i USCIS-it
USCIS-i e ka ndryshuar formularin që përdoret për të aplikuar për green card. Duke filluar nga 23 dhjetori, 2022, duhet të përdorni formularin e ri I-485 Application to Register Permanent Resident Status or Adjust Status. Formulari i ri mund të gjendet në faqen e internetit të USCIS-it në adresën https://www.uscis.gov/i-485. Nëse formularin I-485 e keni paraqitur përpara datës 23 dhjetor, 2022, atëherë duhet të keni përdorur edicionin e datës 15/07/22 të formularit I-485, përndryshe USCIS-i do t’jua hedhë poshtë aplikimin. USCIS-i bazohet në vulën postare për të vendosur se cila është data e aplikimit.
Dokumenti i Garancisë Financiare, Sponsori
Dikush që aplikon për green card duhet të tregojë që ka aq para sa të mund të përballojë jetesën në SHBA pa qenë nevoja që të kthehet në një “barrë publike” (pra të përfitojë ndihma publike të cilat financohen nga taksapaguesit amerikanë). Dikush që është “barrë publike” nuk kualifikohet për të marrë green card. Formulari I-864 (Affidavit of Support) është një kontratë që firmoset nga personi që ka rënë dakort të përdorë burimet e tij/ të saj financiare për të mbështetur ekonomikisht emigrantin që po vjen në SHBA. Personi që firmos këtë afidavit, kthehet në sponsor, sapo emigranti në fjalë bëhet rezident i ligjshëm i përhershëm. Sponsori është zakonisht peticioneri që ka paraqitur kërkesën për emigrim në emër të emigrantit që synon të emigrojë në SHBA. Për hir të qartësisë dhe konsekuencës, Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka bërë publike rregulla të reja që kanë të bëjnë me “barrën publike” si arsye për të mos u pranuar në SHBA (Public Charge Ground of Inadmissibility).
Na bazë të këtyre rregullave, DHS-ja do të vendosë që një jo-nënshtetas ka të ngjarë të kthehet në barrë publike, nëse është e pritshme që në çdo moment, jo-nënshtetasi të varet kryesisht nga qeveria për të siguruar jetesën, qoftë duke pranuar ndihma publike në të holla për siguruar të ardhurat, qoftë duke përfituar, me shpenzimet e qeverisë, kujdes apo shtrim afatgjatë në institucione përkujdesi shëndetësor ose shoqëror. USCIS-i ka nxjerrë një listë me disa nga programet e ndihmës prej të cilave mund të përfitohet pa u kthyer në barrë publike, pra pa rrezikuar kthimin në një person të papranueshëm në SHBA. Lista në fjalë mund të gjendet në adresën: https://www.uscis.gov/policy-manual
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]
Gëzuar Vitin e Ri lexuesve tanë dhe stafit të palodhur të gazetës Illyria!