Në tryezën shkencore “Depërtimi dhe përshtatja e huazimeve angleze në gjuhën shqipe”, në Prishtinë, u shqyrtuan aspekte të ndryshme të huazimeve angleze dhe të ndikimit të tyre në gjuhën shqipe. Studjues të gjuhësisë dhe të fushave tjera të dijes nga të gjitha viset shqiptare paraqitën rezultatet e hulumtimeve, vrojtimet dhe pikëpamjet e tyre mbi ndikimet e huazimeve në gjuhën shqipe dhe mbi mundësitë për minimizimin e tyre. Shqyrtimet dhe trajtesat e paraqitura në këtë tryezë u vlereësuan si kontribut i rëndësishëm për punën em ëtejshme të Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe. Ramadan Muçolli
Prishtinë, 27 qershor 2013 – Afër 20 studjues dhe njohës të anglistikës e të fushave të tjera të gjuhësisë, si edhe studjues të fushave të tjera të dijes, kulturës, teknikës e teknologjisë, nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, u bashkuan të enjten, në Prishtinë, në tryezën shkencore me tutill “Depërtimi dhe përshtatja e huazimeve angleze në gjuhën shqipe”. Tryeza u organizua nga Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), me qëllim të shqyrtimit sa më të plotë e më të gjithanshëm të çështjeve që kanë të bëjnë me depërtimin, përkthimin, përshtatjen dhe përdorimin e fjalëve e shprehjeve të gjuhës angleze në gjuhën shqipe.
Akademik Rexhep Ismajli, në fjalën e tij të hapjes, paraqiti një sërë argumentesh gjuhësore e jashtëgjuhësore që e nxjerrin në pah nevojën për organizimin e kësaj tryeze. Fillimisht, ai hodhi dritë mbi historikun e kontakteve të shqipes me anglishten dhe mbi përmasat e huazimeve të fjalëve dhe shprehjeve të gjuhës angleze në gjuhën shqipe.
“Në përmasat që kanë sot, anglicizmat në gjuhën shqipe janë fenomen i ri dhe ky fenomen i gjithëpranishëm tani u detyrohet rrethanave”, theksoi profesor Ismajli.
Ai shpjegoi se në gjuhën shqipe, si në gjuhën e folur ashtu edhe në gjuhën e shkruar, sot vërehen ndikime të mëdha të fjalëve e shprehjeve të gjuhës angleze, të cilat shpesh e dëmtojnë gjuhën standarde.
“Mungesa e mekanizmave të organizuar dhe efikasë për kontrollimin e tyre në raport me rrjedhat zhvillimore të shqipes në gjerësinë aktuale të përdorimit ndërkombëtar dhe të përballjes me këto realitete jo vetëm në Kosovë, ka bërë që këto ndikime shpesh të duken dhe të dalin përtej rrjedhave normale të ndikimit për pasojë kontaktesh. Në shumë aspekte, këto rrjedha reflektohen drejtpërsëdrejti në zhvillimet e shqipes standarde dhe tjetër në të gjitha përdorimet e saj, me pasoja të hetueshme”, tha ai.
Akademik Ismajli, në fund të fjalës së tij, foli për nevojën e përfshirjes së sa më shumë mekanizmave në huazimin, përkthimin dhe përshtatjen e fjalëve dhe shprehjeve të gjuhëve të huaja, si edhe për harmozimin dhe standardizimin e terminologjisë në fusha të ndryshme.
Më pastaj, në tryezë u paraqitën edhe 15 kumtesa shkencore, të studjuesve të gjuhësisë dhe të fushave të tjera të dijes, në të cilat u hodh dritë mbi aspekte të ndryshme të huazimeve angleze,të përdorimit të tyre në komunikimin e përditshëm, në komunikimin zyrtar e publik, në administratën shtetërore dhe në mediet e shkruara e elektronike. Po ashtu, u hodh dritë mbi nevojën reale të huazimeve të anglicizmave, mbi nevojën e standardizimit dhe normativizimit të tyre dhe mbi mundësitë e zvogëlimit të ndikimeve të dëmshme të huazimeve në gjuhën shqipe.
Në kumtesën e Vesel Nuhiut u vu theksi të veprimet për kontrollin e përshtatjeve të anglicizmave në gjuhën shqipe; Jani Thomai foli për aspekte të ndryshme të anglicizmave në fjalorët shpjegues të gjuhës shqipe; Bardh Rugova foli mbi kriteret për përcaktimin e anglicizmave; Shykrane Gërmizaj sheshoi disa prej sfidave dhe rezultateve të kontakteve të shqipes me anglishten; Jashar Kabashi veçoi disa prej depërtimeve të panevojshme të gjuhës angleze në gjuhën shqipe dhe përshtatjen e tyre në shqip; Arta Toçi prezantoi rezultatet e një hulumtimi mbi përmasat e përdorimit të anglicizmave në mediet ektronike të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë; Valter Memisha foli për depërtimin dhe përdorimin e emërtimeve të shkurtuara në shqipe prej anglishtes; Linditë Sejdiu – Rugova foli për çështjen e përshtatjes së trajtave foljore të anglishtes në gjuhën shqipe; Agron Duro u angazhua për hartimin e një fjalori të veçantë të huazimeve të anglishtes në gjuhën shqipe; Drita Kadriu paraqiti vrojtimet e saj e të Mimoza Gjokutajt mbi përdorimin e fjalëve angleze në dokumentacionin e kurikulës së Kosovës; Nebi Caka paraqiti pikëpamjet e tij mbi përdorimin e anglicizmave në terminologjinë teknike; Irena Pata – Kapo solli shembuj të shumtë të depërtimit të fjalëve e shprehjeve angleze në shtypin shqiptar pas vitit 1990; Muhamet Hamiti paraqiti venerimet e tij mbi depërtimet e anglicizmave në shqipe përmes gjuhës së shkencës, teknikës e teknologjisë, administratës, diplomacisë, etj.; Shkumbin Munishi u ndal më shumë në ndikimin e anglishtes në terminologjinë ekonomike; ndërsa Albana Ndoja paraqiti sugjerimet e saj lidhur me huazimet e reja në gjuhën shqipe, nga anglishtja dhe nga gjuhët tjera.
Shumica prej pjesëmarrësve të tryezës u pajtuan se nevoja për hartimin e fjalorëve të huazimeve nga gjuha angleze dhe nga gjuhët tjera të huaja, për hartimin dhe plotësimin e fjalorëve terminologjikë të fushave të ndryshme dhe për krijimi i një databaze të fjalëve dhe shprehjeve të huaja që pdepërtojnë në shqipe, po bëhet gjithnjë e më e ngutshme.
Në mbyllje të punimeve të tryezës, organizatori dhe pjesëmarrësit e saj, i vlerësuan trajtesat e paraqitura si një kontribut shumë të vlefshëm për punën e mëtejshme të Komisionit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe, të themeluar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.
Kumtesat e paraqitura në këtë tryezë, të cilat mund të zgjerohen e plotësohen, do të përblidhen në një libër të veçantë që do të botohet nga ASHAK, në vjeshtë të këtij viti.