Nga Harry Bajraktari
Kriza e fundit në veri të Kosovës ka si autor presidentin e Serbisë, Vuçiq. Ai e orkestroi atë dhe tani dëshiron të marrë meritën për zgjidhjen e saj. Kjo ka qenë e qartë për këdo që i ka kushtuar vëmendje ngjarjeve të fundit.
Veglat e tij në veri të Kosovës kanë thënë hapur se fjala e Vuçiqit mjafton që ata të fillojnë të çmontojnë barrikadat. Në të vërtetë, sapo Vuçiq bëri thirrje për largimin e barrikadave, ata filluan t’i heqin.
Po pse komuniteti ndërkombëtar nuk është në gjendje dhe nuk guxon ta thotë hapur e ta dënojë Vuçiqin? Pse vazhdojnë ta marrin me të mirë siç bënë me Putinin?
Pse janë ende të mbërthyer në deklaratat e stilit “të dy palët”, ndërkohë që është e qartë se vetëm njëra palë përdor dhunë dhe veprime të paligjshme.
Kjo nuk ndodh për herë të parë. Barrikadat ngrihen në veri, sa herë që Vuçiqit i duhet një krizë, sepse ka zgjedhje në Serbi apo nuk i pëlqen një dokument marrëveshjeje që ndërkombëtarët duan që ta nënshkruajë.
Perëndimi duhej ta kishte mësuar nga përvoja me Vladimir Putinin e Rusisë se të bësh lëshime ndaj një lideri që kërcënon me përshkallëzimin e një krize të krijuar nga vetë ai është e gabuar dhe e nxit të bëjë më keq. Kjo solli luftën në Ukrainë.
Ashtu si me Putinin, përkëdhelja e Vuçiqit vetëm sa do ta bëjë atë më të guximshëm. Ai e di se nuk matet dot me NATO-n në fushëbetejë, por ka nevojë kriza të vazhdueshme si një mjet negociues. Vuçiqi do të vazhdojë të krijojë kriza të reja sepse po shpërblehet për to. Në vend që të përballet me sanksione për shkak të tyre, ai po fiton më shumë grante dhe ndihma nga BE-ja, marrëveshje tregtare me SHBA-në dhe klauzola të dyshimta në marrëveshjet e propozuara Kosovë-Serbi.
Perëndimi duhej të kishte ndërprerë të gjitha lidhjet normale me Vuçiqin në momentin që ai refuzoi t’i bashkohej sanksioneve kundër Rusisë. Ai duhej të ishte trajtuar si një i pabesë derisa të mbyllej rrugëdalja që krijoi që rusët t’u iknin sanksioneve.
Jo vetëm që nuk e bënë këtë, por vazhdojnë ta trajtojnë në të njëjtin nivel si Albin Kurtin, ndonëse kryeministri i Kosovës kërkon thjesht të vendosë sundimin e ligjit në të gjithë territorin e vendit të tij.
Megjithatë, është e rëndësishme që Kurti dhe Kosova të veprojnë vetëm në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare dhe veçanërisht me SHBA-në dhe komandën e NATO-s në Kosovë (KFOR). Çdo lëvizje e nxituar dhe e papërgatitur mund të përdoret nga Serbia për të mbjellë përçarje mes aleatëve tanë dhe për të justifikuar agresionin e saj.
Megjithatë, ne duhet t’i themi Uashingtonit dhe Bashkimit Evropian se “mjaft është mjaft” kur bëhet fjalë për Vuçiqin. Ai nuk po rrezikon vetëm Kosovën dhe rajonin. Ai po provokon gjithashtu një konflikt të ri për të kënaqur aleatin e tij në Moskë. Ai po rrezikon jetë amerikane dhe do ta bëjë përsëri nëse nuk i bëhet e qartë se këto lloj manovrash nuk funksionojnë.
Pa presion të vërtetë as Vuçiq e asnjë lider serb do të pajtohen për normalizim afatgjatë me Kosovën. Dhe kurrë nuk do të ketë normalizim të vërtetë për aq kohë që se mosnjohja e Kosovës është një opsion.
Serbisë është dashur t’i flitet ashpër me masa reale ndëshkuese më shumë se një dekadë më parë. Megjithatë, më mirë vonë se kurrë, është koha për t’i thënë Vuçiqit se nëse dëshiron të vazhdojë të përfitojë nga ndihmat e Bashkimit Evropian dhe të shmangë sanksionet ndërkombëtare, ai duhet të ndalojë ndërhyrjen në punët e brendshme të fqinjëve të tjerë, përkatësisht Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi.
Shtetet e Bashkuara duhet të ftohin marrëdhëniet e tyre me Serbinë, derisa drejtësia të vendoset përfundimisht për tre shtetasit amerikanë, vëllezërit Bytyçi, të cilët u ekzekutuan në vitin 1999; derisa Serbia të zbulojë trupat e më shumë se një mijë civilëve shqiptarë të vrarë, trupat e të cilëve mbeten të fshehur në Serbi më shumë se 20 vjet pas luftës; dhe derisa Serbia të njohë realitetin e ri politik në Ballkan.
Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar shumë energji dhe burime gjatë tre dekadave të fundit për të vendosur paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore. Këto investime të rëndësishme të sigurisë do të mbeten në rrezik real nëse Serbia nuk vihet në linjë nga aleatët perëndimorë. Vuçiq ashtu si Putini kupton vetëm gjuhën e forcës.
Perëndimi të veprojë TANI!
Harry Bajraktari është themeluesi dhe ish-botues i gazetës “Illyria” (1991-1998). Ai është një veprimtar, biznesmen dhe filantropist shqiptaro-amerikan, i nderuar me shumë çmime mes tyre edhe Nderi i Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medalja Presidenciale e Kosovës për Merita si dhe Dekorata e Thirrjes Presidenciale për Shërbim nga Shtëpia e Bardhë në SHBA.