Tiranë, 29 dhjetor 2022 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas heqjes së barrikadave në pjesën veriore të Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka thënë se ”shfaqja zgjati ca më shumë, por fundi ishte i njëjtë dhe të gjithë u kthyen në shtëpi”.
Ai ka ironizuar deklaratën e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili tha se SHBA dhe BE i kanë cilësuar barrikadat si “mënyrë paqësore e protestës”.
“Doli kuptimi i ri i barrikadës, e cila pas 434 vjetësh hyri në listën e mjeteve të protestës paqësore me bekimin e BE dhe të SHBA”, ka theksuar Rama.
Postimi i plotë:
Asgjë e re, shfaqja zgjati ca më shumë, tensioni u ngrit ca më lart, fjalët u këmbyen me ca më shumë zjarr, manovrat ushtarake patën ca më shumë hov, po fundi qe po i njëjti dhe të gjithë u kthyen në shtëpi, sekush me fitoren e vet me vete si gjithmonë!
Ah po, diçka e padëgjuar ndodhi! Doli kuptimi i ri i barrikadës, e cila pas 434 vjetësh hyri në listën e mjeteve të protestës paqësore me bekimin e BE dhe të SHBA! Shpresojmë në mirëkuptimin e aleatëve tanë strategjikë për të mos qenë dakord në këtë pikë. Po fare!
Pyetja mbeti po ajo që ishte përpara këtyre barrikadave paqësore e deklaratave armiqësore! Dhe deri kur përgjigjet e ndryshme të nisen po njësoj nga e shkuara, pyetja do të mbetet po aty edhe pas shfaqjes së rradhës, kur barrikadat të thyejnë paqësisht monotoninë e hiçzgjidhjes.
(r.m.)