Sao Polo, 29 dhjetor 2022 – Legjenda e futbollit brazilian, Pele, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare
Lajmin e trishtë e ka konfirmuar agjenti i tij, Joe Fraga.
Pele vuante prej kohësh nga kanceri në zorrën e trashë. Pele u operua dhe hoqi tumorin në shtator të vitit 2021. Në fund të muajit nëntor ai u shtrua përsëri për trajtim në një spital në Sao Polo, ku e humbi betejën me sëmundjen.
Familjarët e tij duket se e kishin kuptuar se Pele ishte në ditët e fundit të jetës.
Vajza e tij, Kely Nascimento, i ka informuar vazhdimisht fansat e të atit për gjendjen e tij shëndetësore, përmes rrjeteve sociale.
Të enjten ajo e postoi një foto nga spitali, të shoqëruar me një dedikim prekës. “Gjithçka që jemi është falë jush. Të duam pafundësisht. Pusho në paqe”, shkruante ajo.
Pele vlerësohet si “mbreti i futbollit brazilian”. Ai i ka arritur rezultate rekorde me ekipin e brazilit. Në kohën e tij, Brazili ka dalë tri herë kampion i botës, më 1958, 1962 dhe 1970.
Në karrierën e tij jashtëzakonisht të bujshme, nga viti 1957 deri në vitin 1977, Pele i ka shënuar 757 gola, në 831 ndeshje. Këto janë shifrat zyrtare të regjistruara, por ekipi i tij, “Santos” dhe shumë burime të tjera thonë se Pele i ka shënuar mbi 1200 gola.
(r.m.)
Kush do të jetë i dytë pas Tij ?!