Putin e akuzon Perëndimin për “agresion dhe hipokrizi”

Moskë, 31 dhjetor 2022 – Presidenti rus, Vladimir Putin, ka shfrytëzuar adresimin e tij para kombit për Vitin e Ri, për të akuzuar shtetet perëndimore për agresion dhe se po tentojnë të përdorin konfliktin në Ukrainë për të minuar Moskën.

Putin bëri këtë video-adresim – që u transmetua në televizionin shtetëror – nga selia e ushtrisë, ku pas tij shiheshin ushtarët.

“Ishte një vit i vështirë, me vendime të nevojshme, por më e rëndësishmja me ndërmarrjen e hapave për të fituar sovranitetin e plotë të Rusisë dhe për të konsoliduar fuqishëm shoqërinë tonë”, tha ai.

Putin përsëriti se Moska nuk kishte zgjidhje tjetër përpos që të dërgonte trupat ushtarake në Ukrainë, pasi sipas tij, u kërcënua siguria e Rusisë.

“Perëndimi gënjeu lidhur me paqen, por po përgatitej për agresion dhe sot e ka pranuar këtë hapur, nuk i vjen më turp. Dhe ata, në mënyrë cinike, po përdorin Ukrainën dhe popullin e saj për të dobësuar dhe për të ndarë Rusinë”, tha Putin.

“Ne asnjëherë nuk kemi lejuar askënd dhe nuk do të lejojmë askënd që të arrijë diçka të tillë”.

Kremlini ka heshtur çdo kritikë për veprimet e tij në Ukrainë, ka mbyllur mediat e pavarura dhe e ka bërë vepër penale përhapjen e çdo informacioni për luftën që është i ndryshëm nga qëndrimi zyrtar. Rusia e quan pushtimin e saj të paprovokuar të Ukrainës – që nisi më 24 shkurt – “operacion të posaçëm ushtarak”.

Rusia ka justifikuar luftën duke thënë se Ukraina ka përndjekur rusisht-folësit në rajonin lindor ukrainas të Donbasit, i cili, që nga viti 2014 ka qenë pjesërisht i kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Rusia. Ukraina dhe Perëndimi kanë thënë se këto akuza janë të pavërteta.

“Për vite, elitat perëndimore në mënyrë hipokrite na siguruan të gjithë ne se kishin qëllime paqësore, përfshirë edhe për zgjidhjen e konfliktit më të vështirë, në Donbas”, tha Putin.

“Këtë vit, shpallën luftën e vërtetë të sanksioneve ndaj nesh”, shtoi Putin.

Shtetet perëndimore kanë vendosur sanksione të ashpra kundër Rusisë dhe shumë kompani të huaja janë tërhequr nga Rusia, që kur Moska dërgoi trupat në Ukrainë në fund të shkurtit.

(REL)