KFOR do të largojë kamionët e dëmtuar nga rrugët në veri të Kosovës

Prishtinë, 5 janar 2023 – Njësitet e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, më 5 janar do të largojnë automjetet e rënda të dëmtuara që kanë mbetur në vendet ku ishin vendosur barrikadat, në pjesën veriore të Kosovës.

Policia e Kosovës njofton se KFOR-i do të largojë kamionët e mbetur në vendin e quajtur Përroi i Zhazhës. Për këtë arsye, rruga Mitrovicë- Leposaviq do të jetë e  mbyllur përqarkullim rreth dy orë.

“Për shkaqe pune dhe sigurie, nga mëngjesi një korsi e rrugës mbyllet për qarkullim, përderisa në mesditë përreth dy orë do të mbyllet komplet rruga për qarkullim në drejtimin Mitrovicë – Jarinjë, deri sa të largohen mjetet e rënda, për t’u mundësuar qarkullimin dhe lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Disa grupe serbësh i kishin bllokuar rrugët në pjesën veriore të Kosovës më 10 dhjetor, në shenjë proteste ndaj arrestimit të një serbi, ish-polic i Kosovës, I dushyar për  organizimin e sulmeve ndaj zyrtarëve të Komisionit të Zgjedhjeve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka thënë se barrikadat ishin vendosur nga “bandat kriminale” që e kanë mbështetjen e beogradit zyrtar. Ndërkaq, Beogradi ka mohuar se ka nxitur vendosjen e barrikadave, por i ka mbrojtur ato, duke i cilësuar si “mënyrë paqësore e protestës”.

Më 28 dhjetor, pas një takimi me përfaqësues të serbëve nga Kosova, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se barrikadat do të hiqeshin. Shumica e barrikadave u hoqën të nesërmen, më 29 dhjetor, por disa automjete të dëmtuara nuk u larguan nga vendet e barrikadave.

Më 3 janar, KFOR-I i largoi kamionët e djegur që ishin vendosur në barrikadën te vendi i quajtur Shkëmbi i Dudës.

(r.m.)