Imzot Rrok Mirdita merr “Palliumin Metropolitan” nga Ati i Shenjtë Papa Benedikti XVI
Nga Tonin Mirakaj
(Botuar nga gazeta “Illyria”. New York – #1462, 15-18 korrik 2005)
Si është njoftuar edhe nga shtypi dhe televizioni shqiptar këtu në Amerikë, nga gazeta shqiptare-amerikane, ”Illyria”, të mërkurën më datë 29 qershor 2005, Shkëlqesia e Tij, Imzot Rrok Mirdita mori Pallumin Metropolitan nga Ati i Shenjtë Papa Benedikt XVI, në një ceremoni madhështore në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.
Merrnin pjesë mijëra besimtarë të ardhur nga të gjitha anët e botës, të cilët kishin mbushur Bazilikën dhe Sheshin përpara saj. Merrnin pjesë edhe një grup shqiptarësh nga Shqipëria dhe Amerika.
Nga New York-u kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë ceremoni i përndershmi Dom Pjetër Popaj i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës, Don Nikolin Përgjini ndihmës famullitar i kësaj kishe, dhe Tonin Mirakaj me zonjën Milana Mirakaj. Ishin gjithësej 33 Kryeipeshkvij nga anë të ndryshme të globit që u nderuan me këtë rast, ndër këta edhe Kryeipeshkvi Metropolitan i Tiranës dhe Durrësit.
Pallumi simbolizon ngritjen e një Ipeshkvie në rangun Metropolitan, si po ndodh në rastin tonë me Kryepeshkvinë Tiranë-Durrës, vetëkuptohet me qendër në Tiranë. Kjo ka ardhur nga fakti se popullsia e Tiranës është trefishuar si edhe zhvillimi i madh i kryeqytetit shqiptar në dhjetë vitet e fundit. Ky ndryshim në strukturën e Kishës Katolike që Shpallje nga Shejtëria e Tij Papa Gjon Pali i Dytë në 25 janar 2005 dhe u finalizua nga Papa Benedikt XVI në 29 qershor 2005.
Ky ndryshim nuk e zvogëlon rëndësinë e Durrësit në historinë e Kristianizmit shqiptar dhe atij europian. Durrësi si qytet njihet që në shekullin e VI para Krishtit. Është njohur me dy emra Dyrrachium dhe Epidamnus. Vepra e Daniel Farlatit “Illyricum Sacrum” (Iliria e Shenjtë) botuar në gjuhën latine më 1917, shkruan gjatë për Durrësin. Volumi i shtatë i kësaj vepre bën fjalë mbi historinë e kishës nga Dalmacia deri në kufi me Greqinë. Durrësi si Kryeipeshkvi Metropolitane në shekujt e parë të Krishtërimit kishte 20 Ipeshkvije mbi të cilat shkruan gjatë Farlati. Ipeshkvi i parë ekzistonte që në vitin 58, me emër Shën Çezari Martir, një nga 72 nxënësit e Jezu Krishtit. Shën Pali, në letrën 15,19 drejtuar Romakëve thotë se ka predikuar Ungjillin e Jezu Krishtit deri në Iliri.
Kryeipeshkvia e Durrësit ka pasur pa ndërprerje barinjtë e vetë deri me Imzot Viçens Prendushin, i cili vdiq në burgun e Durrësit më 1949. Zvogëlimi si Kryeipeshkvi ka ndodhur nga rrethana demografike dhe historike të njohura ndër shekuj.
Me vizitën historike të Atit të Shenjtë Papa Gjon Pali i Dytë në Shqipëri, më 25 prill 1993 dhe shugurimin në Katedralen e Shkodrës të katër Ipeshkvive u restaurua struktura e kësaj Kryeipeshkvie. Imzot Rrok Mirdita u emërua Arkipeshkv i Durrësit dhe i Tiranës me qendër në Tiranë, kjo nga arsye të sipërshënuara. (Shih Vjetarin 2004, Argjipeshkvia Durrës-Tiranë).
Më 30 qershor, Ati i Shenjtë priti në audiencë grupe të përbëra nga 5 persona, të kryesuar nga Kryeipeshkvijtë që morën Pollumin një ditë më parë. Grupi i shqiptarëve që u takuan me Shenjtërinë e Tij, përbëhej nga Kryeipeshkvi Metropolitan i Tiranës dhe Durresit Imzot Rrok Mirdita, Dom Pjetër Popaj, ndihmës famullitar i Katedrales së Shën Palit në Tiranë, Arian Shkurti si dhe z. Tonin Mirakaj me znj Milana.
Në këtë rast të paharruar Imzot Rrok Mirdita pasi falenderoi Atin e Shenjtë për nderin e madh që i bëhej Tiranës dhe gjithë Shqipërisë dhe për interesimin dhe dashurinë e tij për të gjithë shqiptarët, i paraqiti dhuratën e kryetarit të Bashkisë Edi Ramës, të cilën Ati i Shenjtë e pranoi me kënaqësi. Zoti Rama, në një vizitë që i bëri Imzot Rrok Mirditës, në zyrën e tij në datë 27 qershor, e solli personalisht këtë dhuratë për Atin e Shenjtë në shenjë mirënjohje për nderin që po i bëhej qytetit të tij me ngritjen e Kryediocezës Tiranë-Durrës në rang Metropolitan. Dhurata ishte një pjatë porcelani që me mjeshtëri artistike paraqiste Tiranën dhe në mes të saj, çelësin simbolik të qytetit. Në anën tjetër ishte shkruar në gjuhën francize “Shenjtërisë së Tij Papa Benedict XVI, në shenjë mirënjohjeje dhe falenderimi për ngritjen e Kryedioqezës Durrës-Tiranë në Kryedioqezën Metropolitane Tiranë-Durrës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama”.
Më datën 4 korrik 2005, Imzot Rrok Mirdita kremtoi 40-vjetorin e shugurimit meshtar, me një meshë falenderimi në Katedralen e Shën palit në Tiranë, ku merrnin pjesë edhe 22 meshtarë, ndër të cilët edhe Kryeipeshkvi i Tivarit, Imzot Zef Gashi. Merrnin pjesë përfaqësues të komuniteteve fetare, personalitete të kulturës dhe politikës shqiptare si dhe një numër diplomatësh të akredituar në Tiranë.
Kishin ardhur gjithashtu vëllezërit e Shkëlqesisë së Tij zotërinjtë Zef dhe Gjergj Mirdita me familjet e tyre, Ejllo dhe Hilë Zagreda me familje si edhe të tjerë nga vendlindja e Imzot Mirditës, Ulqini.
Mbas përfundimit të liturgjisë, Shkëlqesia e Tij kishte përgatitur një pritje me pije dhe ushqime për të gjithë pjesëmarrësit në ambjentet e qendrës së Kryeipeshkvisë. Si mesha dhe pritja kaluan në një atmosferë shumë të përzemërt dhe miqësore gjë që provon respektin dhe dashurinë që Imzot Rrok Mirdita gëzon në të gjithë vendin për punën e palodhshme dhe aktivitetin e tij fetar dhe kombëtar.