(Ribotohet me rastin e 17 vjetorit të vdekjes së liderit e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova)
Njerëzit e mëdhenj i rrafshojnë kufijtë kohorë, edhe hapësinorë. Veprat e tyre i rrafshojnë vitet, dekadat e shekujt. I kapërcejnë kufijtë politikë e gjeografikë. Kështu, me kalimin e kohës, ata bëhen të gjithëkohshëm, kurse veprat e tyre marrin edhe dimensione të reja.
Kështu ndodh edhe me Ibrahim Rugovën, udhëheqësin shpirtëror e politik të popullit të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci, Presidentin Historik së Kosovës.
Dhjetë vjet pas vdekjes së tij, profili i Rugovës si lider politik ka marrë përmasa të reja.
Ibrahim Rugova, i renditur tashmë në mesin e figurave më të shquara të historisë së shqiptarëve, konsiderohet me të drejtë si arkitekt i shtetit të Kosovës. Ai i bashkoi rreth projektit të shtetit të pavarur të Kosovës pothuaj të gjithë qytetarët e saj, të të gjitha shtresimeve politike, kulturore e sociale. Për këtë arsye, është krahasuar dhe krahasohet me Skënderbeun e Ismail Qemailin. Ndonjëherë, ai është krahasuar edhe me profetë, apostuj e shenjëtorë.
Rugova ishte artikuluesi më i qartë i vullnetit politik të popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Ai e afirmoi çështjen e Kosovës në qendrat më të rëndësishme politike të botës dhe arriti ta fitojë simpatinë dhe përkrahjen e vendeve dhe organizatave më të fuqishme të botës, ushtarake e politike. Kërkesa e tij e vazhdueshme për ndërhyrjen e NATO-s dhe për vendosjen e Kosovës nën një protektorat civil ndërkombëtar të përtkohshëm, e cila dukej utopike në fillim, u bë realitet jo më shumë se shtatë-tetë vjet më vonë.
Rugova ishte krijuesi i urave të miqësisë me botën e lirë e demokratike, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e Evropës Perëndimore. Ai u ishte mirënjohës miqve dhe përkrahësve të Kosovës e të shqiptarëve dhe punonte pareshtur për forcimin e miqësive të vjetra dhe për krijimin e miqësive të reja. Ndihma e gjithanshme politike e ushtarake, para dhe gjatë luftës, ndihma për rindërtimin e zhvillimin e vendit pas luftës dhe për zgjidhjen e statusit të Kosovës kanë provuar urtinë e tij për miqtë e për miqësinë, të cilën e kujtonte shpesh, në raste të ndryshme, nëpërmjet urtisë popullore “shtëpia nuk mbahet pa miq”.
Zgjedhja e rezistencës paqësore si mjet për realizimin e vullnetit politik nuk ishte shprehje e natyrës së brishtë të Rugovës. Ajo ishte zgjedhje koshiente e tij që buronte nga vlerësimi i qenies njerëzore, qenies kombëtare, pra edhe qenies kosovare. Ai e ka pësëritur shumë herë, në takime me gazetarë, diplomatë e burrështetas të huaj, se liria dhe pavarësia e Kosovës nuk do të kishin asnjë vlerë dhe asnjë kuptim, po të mos ishte plot, me kosovarë.
Tipar i veçantë i filozofisë politike të Rugovës ishte fryma humane e saj, e cila buron nga qetësia, maturia dhe durimi apostolik i tij. Gjatë gjithë jetës së tij, veçanërisht në vitet e misionit të tij të shenjtë për Kosovën e lirë, të pavarur e demokratike, ai i qëndroi besnik natyrës e karakterit të tij dhe përballoi me qetësi, maturi e durim edhe situata shumë të rënda, për veten e tij, për familjen e tij të vogël dhe për familjen e tij të madhe.
Ibrahim Rugova, pa asnjë dyshim, do të jetë edhe për shumë kohë modeli i politikanit popullor në Kosovë, edhe përtej saj. Profili i tij politik do të jetë objekt shqyrtimesh e trajtimesh nga historianë, filozofë, sociologë, politikologë…
Por, Ibrahim Rugova do të jetë edhe për shumë kohë edhe modeli i shkrimtarit, teoricientit e kritikut letrar. Ai ka sjellë një mënyrë të re të shkrimit letrar në letërsinë shqipe, me tipare moderne teorike e stilistike.
(E publikuar për herë të parë më 21 janar 2016)