Nga Ramadan Muçolli
Dy muajt e fundit të vitit 2005, kur Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, po luftonte me sëmundjen e tij, në disa prej gazetave të Kosovës, po botoheshin edhe pseudolajme dhe dezinformata të ndryshme për shëndetin e tij. Shumica e këtyre “lajmeve” ishin hamendësime dhe spekulime ose, thjeshtë, trillime të “gazetave” e “gazetarëve” që nuk ishin të nxitura nga kureshtja profesionale, por sigurisht ishin të yshtura edhe nga qarqe të caktuara politike, kosovare dhe përtejkosovare. Në shumë prej këtyre shkrimeve, të natyrës krejtësisht sensacionaliste, me tituj shumë bombastikë, thuhej se gjendja e vërtetë shëndetësore e Presidentit po mbahej e fshehur. Disa prej tyre trillonin se Presidenti ishte “pa vetëdije”, ishte “në koma” ose ishte “në prag të vdekjes”. Por, kishte edhe “lajme” me tituj makabër, sipas të cilave Presidenti kishte vdekur tashmë, por kjo po mbahej sekret nga familjarët dhe nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.
Madje, kishte edhe “lajme” që e kapërcenin çdo imagjinatë të shëndoshë, sipas të cilave Presidenti Rugova edhe “ishte varrosur” tashmë, në mënyrë “private” e “sekrete”!
Të gjitha këto “lajme” që i kapërcenin të gjitha normat profesionale, etike dhe humane, publikoheshin në kohën që Presidenti Rugova po trajtohej në shtëpinë e tij, në Prishtinë, nën përkujdesjen e një ekipi të mjekëve të Qendrës Mjekësore Ushtarake Amerikane në Landstuhl, në Gjermani, të cilët vinin në Prishtinë herë pas here, sipas nevojës, për ekzaminime dhe për terapi.
Duke qenë i afërt me disa prej miqve dhe bashkëpunëtorëve më të afërt të Presidentit (Sabedin Halitin – Sabën, Muhamet Hamitin, Skender Hysenin, Alush Gashin, etj.), unë kisha informacion të saktë për gjendjen shëndetësore të tij. Kisha edhe informacione të detajuara për llojin dhe natyrën e kurës, si edhe për rezultatet e analizave dhe ekzaminimeve të kryera nga ekipi i mjekëve amerikë, të cilët kishin komunikim të vazhdueshëm edhe me mjekë eminentë të fushës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I befasuar me shkallën e makabritetit të këtyre shkrimeve dhe i indinjuar me disa prej kolegëve të mi në gazetat që i plasonin ato, e ndjeja si obligim profesional dhe si detyrë njerëzore të bëja diçka për të parandaluar vazhdimin e vënies në lajthitje të qytetarëve të Kosovës dhe të mbarë opinionit publik.
Unë isha Kryeredaktor i Programit Informativ të Radiotelevizionit 21 dhe kisha mundësi të raportoja në mënyrë objektive e profesionale për shëndetin e Presidentit.
Por, kjo nuk ishte krejtësisht në dorën time. Trajtimi mjekësor i Presidentit, mbi të gjitha, ishte çështje e tij personale dhe çështje private e familjes Rugova.
Përveç kësaj, sipas normave profesionale, për çfarëdo që do të raportoja duhet të kisha një referencë zyrtare ose profesionale, ndërsa për trajtimin mjekësor të Presidentit nuk ishte krijuar një konzilium i përhershëm mjekësh as nuk ishte caktuar një profesionist i fushës që do të raportonte në mënyrë të rregullt e sistematike për gjendjen shëndetësore të Presidentit dhe për ecurinë e trajtimit mjekësor të tij.
Megjithkëtë, unë iu luta mikut tim, Sabës, i cili ishte mik i hershëm i Ibrahim Rugovës dhe i afërm i familjes Rugova, që të më ndihmonte të shkoja në Rezidencën e Presidentit dhe të regjistroja e publikoja në televizion ndonjërin prej aktiviteteve të Presidentit, të cilat ishin reduktuar mjaft, por nuk ishin ndërprerë asnjëherë.
Kështu, opinioni do të çlirohej nga pseudo-lajmet e gazetarëve kobndjellës që vdesin nga dëshira për lajme “ekskluzive”, qoshin ato edhe lajme të këqia, edhe lajme për tragjedi njerezore.
Saba, atëherë udhëheqës i Qendrës për Informim të Kosovës, më premtoi se do të përpiqej të gjente një shkas që të përmbushte kërkesën time.
Më 22 dhjetor, ai më njoftoi se të nesërmen, më 23 dhjetor, me rastin e 16 vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Presidenti Rugova do të organizonte një tubim solemn me anëtarë të Kryesisë dhe me kryetarë të degëve të partisë.
Takimi nuk ishte i hapur për medie, jo për ndonjë arsye tjetër, por sepse asokohe mbi Presidentin Rugova ushtrohej një presion i jashtëzakonshem që të hiqte dorë nga udhëheqja e LDK-së, partisë të cilën e kishte themeluar dhe e kishte drejtuar 16 vjet. Por, mua më ishte lejuar ta ndiqja e ta regjistroja këtë ngjarje dhe të transmetoja ne televizion çfarë që do ta vlerësoja me interes për publikun.
Të nesërmen, pak si në diskrecion për shkak të ekskluzivitetit, unë dhe kolegu im, kameramani Lulzim Fana – Luli, shkuam bashkë në Rezidencën e Presidentit, së paku 15 minuta para kohës së takimit. Stafi i Presidentit nuk e priti mirë shkuarjen tonë. Na pyetën se kush na kishte dhënë leje të regjistronim, na futën në një zyrë të personalit, ngjitur me sallën e gazetarëve, në katin përdhes të ndërtesës, dhe na thanë të prisnim aty pak kohë. Vumë re se personeli i Rezidencës u vu në lëvizje, me gjasë për t’u konsultuar me ndonjërin prej zyrtarëve më të lartë. Shoferi i Presidentit, Qefser Baholli, e mori dikë në telefon dhe i tregoi se unë kisha shkuar për ta xhiruar takimin, por nuk më tha asgjë.
Pas pak, Qefseri na shoqëroi në katin e parë të Rezidencës, deri në Sallonin e Pritjes, ku Presidenti Rugova i priste miqt e mysafirët e tij të nderuar. Na udhëzoi të uleshim e të prisnim edhe pak aty dhe doli. Dera e sallonit mbeti gjysmë e hapur, kështu që në korridor dëgjoheshin lëvizjet e anëtarëve të kryesisë dhe të kryetarëve të degëve të LDK-së që po hynin në Sallën e Takimeve, ku mbaheshin takimet zyrtare të Presidentit, përfshirë edhe takimet e Grupit të Unitetit për statusin e Kosovës.
Pas pak dëgjova lëvizje dhe kuptova se Presidenti po zbriste nga shoma e tij e punës, e cila një kat më lart. Në korridor, para hyrjes në Sallën e Takimeve, dëgjova që Agim Krasniqi, kryetar i kolegjiumit të kretarëve të degëve të LDK-së, po i tregonte Presidentit se unë kisha shkuar për ta ndjekur e për ta regjistruar tubimin. E dëgjova kur ai ia tha emrin e mbiemrin tim Presidentit.
E dëgjova edhe Presidentin që i tha: “Qysh jo, mundet. Ku është Ramadani? A është në sallë?”.
“Po pret këtu, në sallon”, iu përgjigj Agimi.
“Po, po. Thuaj le të vijë!”, tha Presidenti.
Pa mbaruar mirë Presidenti, u hap dera e sallonit. Qefseri që ishte aty pranë na bëri me shenjë ta ndiqnim drejt Sallës së Takimeve.
Presidenti po na priste në korridor, para hyrjes në sallë. Ishte i veshur si gjithmonë, kurse në kokë e kishte vënë një kapelë dielli me ngjyrë të bardhë, më duket me logon e LDK-së.
Na e shtriu dorën të dyve, mua dhe Lulit.
“Si je Ramadan?”, më pyeti ai i pari.
“Mirë, President. Si jeni ju?”, ia ktheva unë.
“Mirë, mirë”, m’u përgjegj ai duke tundur kokën.
“President, unë erdha ta përcjell këtë tubim solemn. A ju prish punë diçka?, e pyeta.
“Jo, jo. Aspak. Urdhëroni”, tha ai dhe e hapi krahun që të hyja në sallë, para tij.
U hutova pak nga ky gjest i tij, por nuk e humba arsyen.
“Ju lutem, President”, i thashë dhe i hapa rrugë që të hynte ai i pari. Unë u nisa pas tij. Pas meje hyri Luli, me kamerën dhe pajisjet tjera për xhirim.
Të pranishmit në sallë, të cilët ishin në këmbë, rrotull tryezës së gjatë, e mirëpritën Presidentin me duartrokitje, si zakonisht në tubimet formale. Presidenti shkoi deri te pjesa ballore e tryezës, duke i përshëndetur me kokë pjesëmarrësit.
“Ju lutem, ju lutem”, iu drejtua pas pak pjesëmarrësve, duke shprehur edhe me dorë të njëjtën lutje.
Pas pak, ai e nxori nga xhepi fjalimin që e kishte përgatitur për atë rast. Fjalimin, të cilin e kishte shkruar me dorë, si gjithmonë, e lexoi prajshëm e qetësisht, po kështu si gjithmonë.
Ishte një fjalim jo i gjatë, me fjali eliptike për historikun 16-vjeçar të LDK-së dhe për projeksionin e saj për Republikën e Kosovës.
Kur e mbaroi fjalimin, pjesëmarrësit e përshëndetën me duartrokitje të gjata.
Presidenti e tundi kokën në shenjë falënderimi dhe duartrokitjet pushuan.
Në tryezë ishin servuar disa shishe me verë, me lëngje frutash dhe me ujë. Dikush, aty pranë, ia mbushi presidentit një gotë verë. Ai e mori gotën, e ngriti pak dhe iu drejtua pjesëmarrësve.
“Ta ngrejmë një dolli, ta shënojmë këtë përvjetor!”, tha ai.
E ngriti gotën, u hodhi një vështrim të gjithë të pranishmëve rrotull tryezës dhe uroi.
“Gëzuar!”, tha ai, duke ngritur gotën pak më lart, në shenjë përshëndetjeje, por nuk piu prej saj.
“Gëzuar!”, uruan të tjerët, pothuaj njëzëri.
Në raste të ngjashme, para këtij, zakonisht flisnin të ftuarit dhe mysafirët, kurse Presidenti dëgjonte me vëmendje, e tundte kokën në shenjë pohimi ose u përgjigjej shkurt pyetjeve që i drejtoheshin atij. Por, në këtë rast ishte ndryshe. Në sallë dominonte qetësia, një qetësi e pazakonshme për raste e sebete të tilla. Atë e theu vetë Presidenti.
“Folni diçka, burra!”, iu drejtua ai të pranishmëve.
Disa prej anëtarëve të kryesisë, me të cilët Presidenti kishte relacione më të gjatë, e vështruan njëri-tjetrin, sikur të shihnin cili do të fliste i pari.
“Po më duket paskeni lexuar shumë gazeta”, tha Presidenti buzagaz, kurse të tjerët u përgjigjën me “po” ose tundën kokën.
“Mos lexoni shumë gazeta!… Tash po dalin shumë gazeta”, kështilloi ai, si me humor.
Presidenti nuk shquhej shumë për sens humori. Megjithkëtë, kjo “këshillë” e tij miqësore i bëri të tjerët ta tumirnin me të qeshur. Disa prej tyre e kapën çastin për të thënë diçka, për të bërë ndonjë shaka pa zarar ose për të treguar ndonjë histori të shkurtër anekdotike.
Mua më vinin në kujtesë tituj të lajmeve bombastike të gazetave për shëndetin e Presidentit dhe po e krahasoja shpirtngurtësinë e gazetarëve me zemërgjerësinë dhe kurajën e jashtëzakonshme njerëzore të Presidentit.
Pas pak, i bëra një shenjë Lulit që të përfundonte xhirimet dhe të ktheheshim në televizion.
Rrugës po mendoja kur dhe si do ta transmetoja informacionin ekskluziv për tubimin, i cili, mbi të gjitha, do ta kishte një kuptim më shumë: të përgënjështronte paseudolajmet e shumicës së gazetave të Kosovës, disa prej të cilave transmetoheshin me shpejtësi edhe në shtypin e huaj, sidomos në shtypin shqiptar dhe në shtypin serb.
Duke e peshuar përsëri zemërgjerësinë dhe kurajon e Presidentit me kërshërinë e sëmurë të gazetarëve, e ndjeva një grishje të fuqishme njerëzore e profesionale për të realizuar një intervistë të një natyre tjetër me Presidentin, jashtë kornizave e stereotipeve të zakonshme gazetareske…
Dy ditë pa u mbushur muaji, më 21 janar 2006, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, shkoi në amshim.
Lajmi për shkuarjen e tij nuk u mbajt asnjë minut sekret, siç do të kishin dëshirë të ndodhte gazetarët hasretxhinj për ajme të zeza.
Familja Rugova dhe miqt e bashkëpunëtorët e Presidentit e kumtuan shumë shpejt, zyrtarisht dhe profesionalisht.
Lajmi u prit me dhembje e pikëllim nga qytetarët e ndershëm të Kosovës dhe nga miqt e shumë të Presidentit në mbarë botën demokratike.
Miqtë e bashkëpunëtorët e tij e qanë Presidentin, sepse ai iku ende i ri, në moshën e pjekurisë së plotë intelektuale dhe politike.
Miqtë ndërkombëtarë dhe njohësit e rre thanave e zhvillimeve politike në Kosovë e qanë edhe Kosovën, sepse ajo e humbi liderin më largpamës dhe prijësin më të urtë dhe më frymësues të kosovarëve të Kohës së Re.
Prishtinë, 21 janar 2018