Tiranë, 25 janar 2023 – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) konfirmoi sot për “Zërin e Amerikës” se kallëzimi i ardhur më 23 janar nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në lidhje me ngjarjet e 21 janarit të vitit 2011, i është nënshtruar shortit për vazhdimin e procedurave të mëtejshme.
Hetimet e reja të SPAK-ut mbi protestën e para 12 vjetëve, ku e humbën jetën 4 protestues dhe u plagosën shumë të tjerë, janë bazuar në një audioregjistrim të komunikimit me radiolidhje të drejtuesve të Gardës së Republikës, të cilat u bënë publike para dy ditësh nga gazetari Artan Hoxha.
Në kallëzimin e ministrit Manja kërkohet të hetohen roli i ish kryeministrit Sali Berisha, ish ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe ish komandantit të Gardës së Republikës, Andrea Prendi, si edhe gjithë zinxhirit tjetër të Gardës së Republikës për 21 janarin.
Po sot, oficerët e policisë gjyqësore të sektorit të vrasjeve në kryeqytet, shkuan për të kërkuar të dhëna të reja në banesën e familjarëve të Aleks Nikës, që ishte njëri nga 4 të vrarët gjatë protestës së 21 janarit të 12 vjetëve më parë.
Xhaxhai i tij, Mark Nika, u ka bërë me dije mediave se zotëron audio-regjistrimet e gazetarit Artan Hoxha, ku dëgjohen komunikime me radio të komandantëve të Gardës së Republikës më 21 janar, kur ishin përballë protestuesve.
Por zoti Nika nuk pranoi t’ia japë audio-regjistrimet policisë gjyqësore, duke u shprehur se familja ka besim vetëm tek SPAK-u dhe se do t’ia dorëzojë ato vetëm këtij institucioni.
Jo zyrtarisht mësohet se zoti Nika ka zhvilluar një takim me drejtuesin e SPAK-ut.
Prokuroria e Tiranës nga ana e saj, njoftoi disa ditë më parë se edhe ajo po kryente verifikime të audio-regjistrimit.
Në vitin 2020 prokuroria i kishte pezulluar hetimet për 21 janarin, pasi nuk kishte arritur të identifikonte autorët e dy prej vrasjeve, por më 2021 i rihapi ato dhe aktualisht ka nisur verifikimin e dhënave të publikuara nga audio-regjistrimi.
Ish kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se 21 janari ishte një përpjekje për grusht shteti dhe marrje të pushtetit me dhunë nga socialistët dhe se të dhënat e reja janë të manipuluara.
Mijëra protestues iu bashkuan demonstratës së thirrur nga Partia Socialiste më 21 janar 2011, pas njoftimeve për korrupsion të qeverisë Berisha në disa afera, që u shfaqën në një video regjistrim të ish ministrit të ndjerë Dritan Prifti, ku shfaqej me një bllok shënimesh ish zëvendës kryeministri Ilir Meta.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)