Prishtinë, 27 janar 2023 – Partitë politike opozitare në Kosovë mbështesin procesin e dialogut me Serbinë, por nuk pajtohen me propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, në rast se nga ky propozim nuk rrjedh njohja e Kosovës nga ana e Serbisë.
Qëndrimi i partive opozitare është i ngjashëm me atë të Qeverisë së Kosovës.
Njohësi i proceseve politike, Agon Maliqi, vlerëson se deklaratat e Qeverisë dhe të partive opozitare, janë taktike, dhe synojnë forcimin e pozicionit të Kosovës në negociata, por janë edhe për politikë të brendshme.
Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.
Ky propozim, në të cilin ka pasur qasje REL-i, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.
Propozimi i Bashkimit Evropian, që më herët njihej si plani franko-gjerman, ka marrë mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
PDK: Propozimi i BE-së nuk është i prituri dhe duhet të negociohet
Partia Demokratike e Kosovës(PDK), e ka mirëpritur propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por vetëm si bazë për bisedime për marrëveshjen përfundimtare ndërmjet dy shteteve, thotë deputeti i kësaj partie, Rashit Qalaj.
Megjithatë, siç thekson ai, qëndrimi i PDK-së është që propozimi, i cili duhet të diskutohet për një marrëveshje përfundimtare, duhet t’i përmbajë pesë elemente të domosdoshme: ruajtjen e karakterit unitar të vendit, njohjen nga pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur deri më tash Kosovën, integrimin në strukturat e NATO-s apo në Partneritetin për paqe, marrjen e statusit kandidat për Bashkimin Evropian, si dhe njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Mendoj që propozimi nuk është marrëveshja, për të cilën Kosova ka pritur për një kohë të gjatë. Marrëveshja që nuk e ka në përbërjen e saj njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është marrëveshje që nuk sjell stabilitet në Ballkan dhe vetëm e shtyn zgjidhjen e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë Qalaj.
Sipas tij, propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve duhet të negociohet.
“Meqenëse e dimë se propozimi, si i tillë, nuk është final, por është bazë e mirë për bisedime, mirëpo, qëndrimi ynë është se marrëveshja gjithsesi duhet t’i ketë të pesë elementet që i përmendëm”, thekson Qalaj.
LDK: Nuk mbështesim marrëveshje që nuk e përfshin njohjen e Kosovës
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë për Radion Evropa e Lirë se qëndrimi i partisë së tij është se një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme dhe se duhet të arrihet sa më shpejt.
Por, siç thotë ai, një marrëveshje e tillë duhet të ketë për efektnjohjen.
Mirëpo, me aq sa dihet deri më tash, njohja e Kosovës nga Serbia nuk figuron në tekstin e propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, e cila u është dorëzuar qeverive të dy shteteve.
Siç thotë Haziri, dialogu që nuk do të përfundojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, “nuk do të ketë kurrfarë kuptimi”.
“Asnjë marrëveshje, e cila nuk e ka njohjen si përfundim, nuk do të jetë e mjaftueshme dhe nuk do të jetë e mbështetur nga LDK-ja. Ky është qëndrimi ynë i rikonfirmuar tash, në 10 ditët e fundit, përkundër që ne kemi mbështetur dialogun dhe e mbështesim Qeverinë si mandatar kushtetues”, thotë Haziri.
Ai shton se këtë qëndrim politik do ta konfirmojnë edhe në takimet që Ambasada e SHBA-së në Prishtinë pritet të organizojë me partitë politike dhe shoqërinë civile, që nga 31 janari.
“Askush nuk ka pritur, asnjëherë, që në dokumente bazë të palëve të jetë e shkruar ose e pritur në mënyrë eksplicite pavarësia e Kosovës, sepse Serbia do të vazhdojë të kundërshtojë nga ana e saj çdo lloj pranimi të Kosovës dhe do të mundohet ta gjejë një derë që të ikë dhe të blejë kohë sërish me mosnjohje. Por, ne duhet t’i bindim dhe duhet të argumentojmë para ndërmjetësve ndërkombëtarë, para faktorit ndërkombëtar e në veçanti zotit (përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep) Borrell dhe Qeverisë amerikane, se njohja është zgjidhja e problemeve, ndërkaq me mosnjohjen e pavarësisë (së Kosovës nga Serbia), Kosova mbetet problem i hapur në mes Serbisë dhe saj”, thekson Haziri.
AAK: Propozimi e zgjidh nyjën e marrëdhënieve Kosovë – Serbi
Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje për të kontaktuar me zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), por ata nuk ishin të qasshëm.
Megjithatë, në dhjetor të vitit të kaluar, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte shprehur mendimin se propozimi i BE-së, ofron një bazë të pranueshme për bisedime të mëtejshme me Serbinë dhe se me këtë propozim “marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rregullohen në bazë të kapitujve të Kartës së OKB-së për marrëdhëniet mes shteteve”.
“Unë besoj se baza është e qëndrueshme dhe kjo marrëveshje [propozim] është e qëndrueshme, dhe [në fund] e zgjidh çështjen e mbetur pezull – pra të njohjes së ndërsjellë Kosovë-Serbi. Nuk shoh se do të duhet prapë në të ardhmen të bisedohet për njohjen e ndërsjellë, për shkak se [ky propozim] e zgjidh nyjën e marrëdhënieve Kosovë – Serbi”, tha Haradinaj.
Maliqi: Deklarata taktike të pushtetit dhe opozitës
Njohësi i proceseve politike, Agon Maliqi, vlerëson se deklaratat – qoftë të kryeministrit Kurti, por edhe të partive opozitare – lidhur me propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, mund të kenë natyrë taktike.
Në këtë mënyrë, sipas tij, Qeveria e Kosovës dërgon sinjalin se pozicioni i saj në negociata është arritja e njohjes nga Serbia dhe se nga ky synim nuk mund të heqë dorë. Ndërkaq, deklaratat e opozitës, siç thotë Maliqi, mund të jenë taktike dhe për politikën e brendshme, në mënyrë që në rast se në fund të negociatave nuk do të ketë njohje të drejtpërdrejtë të Kosovës nga ana e Serbisë, atëherë kjo të prezantohet si dështim i Qeverisë.
“Kosova e kërkon njohjen reciproke, jo detyrimisht se ka qejf që ta njohë Serbia, por për shkak se mungesa e kësaj njohjeje nga Serbia po shkakton probleme. Një prej këtyre problemeve është çështja e njohjes nga [pesë] vendet e BE-së apo anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Në qoftë se marrëveshja, përmes njohjes së tërthortë, e arrin këtë rezultat – pra, të ketë garanci që Kosova futet në organizata ndërkombëtare, përjashto mbase OKB-në – apo e siguron njohjen prej pesë shteteve të BE-së, atëherë mendoj që edhe Kosova do të mund ta shohë të dobishme marrëveshjen”, vlerëson Maliqi.
Ai shton se deklaratat dhe qëndrimet, pothuajse të ngjashme, të pushtetit dhe partive opozitare lidhur me propozimin e BE-së, mund të ndikojnë në forcimin e përpjekjeve të aleatëve për t’i adresuar disa prej shqetësimeve të Kosovës.
“Mendoj që këto janë më shumë përpjekje për të marrë garanci prej partnerëve ndërkombëtarë se Kosovën e presin përfitimet që do të kishin ardhur prej njohjes dhe jo mbase detyrimisht njohja. Këto më shumë duken, thjesht, si lloj qëndrimi retorik dhe taktik”, thekson Maliqi.
Të enjten, më 26 janar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër.
Këtë propozim, ai e konsideron si bazë të mirë për diskutime dhe si “kornizë që na mundëson të ecim përpara”.
Së fundmi, më 25 janar, në Prishtinë ka qëndruar i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili është takuar në një darkë pune me kryeministrin Kurti, dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, për të diskutuar për hapat e ardhshëm rreth dialogut.
Ndërkaq, më 24 janar, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, e ka inkurajuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të pranojë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Më 20 janar, në Prishtinë dhe Beograd kanë qëndruar Lajçak, i shoqëruar nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, ai i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talon, këshilltar i kryeministres së Italisë.
Ata kanë biseduar me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, lidhur me propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.
Presidenti serb, Vuçiq, ka deklaruar se propozimi i BE-së është kornizë e re negociuese për Serbinë.
(Bekim Bislimi, REL)