Uashington, 27 janar 2023 – Forcat e operacioneve speciale amerikane kanë vrarë një zyrtar të lartë të grupit të Shtetit Islamik dhe 10 operativë të tjerë terroristë në Somalinë e largët veriore, njoftoi të enjten administrata Biden.
Operacioni i kryer të mërkurën kishte në shënjestër Bilal al-Sudanin, një ndihmës kryesor financiar për organizatën terroriste globale, në një kompleks shpellash malore.
“Ky veprim i lë Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj më të sigurt dhe pasqyron angazhimin tonë të palëkundur për të mbrojtur amerikanët nga kërcënimi i terrorizmit brenda dhe jashtë vendit”, tha në një deklaratë Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin.
Presidenti Joe Biden u informua javën e kaluar për misionin e propozuar, i cili u krye pas muajsh planifikimi. Sipas dy zyrtarëve të lartë të administratës Biden që informuan gazetarët mbi operacionin në kushte anonimiteti, Presidenti dha miratimin përfundimtar për të kryer operacionin këtë javë pas rekomandimit të sekretarit Austin dhe Shefit të Shtatëmadhorsië, Gjeneral Mark Milley .
Al-Sudani, i cili ka qenë në radarin e zyrtarëve të inteligjencës amerikane për vite, luajti një rol kyç në ndihmën për financimin e operacioneve të ISIS-it në Afrikë, si dhe degën terroriste ISIS-K që vepron në Afganistan, tha zoti Austin.
Departamenti amerikan i Thesarit tha vitin e kaluar se al-Sudani kishte bashkëpunuar ngushtë me një tjetër operativ të IS-it, Abdella Hussein Abadiga, i cili kishte rekrutuar të rinj në Afrikën e Jugut dhe i kishte dërguar në një kamp trajnimi për armë.
Abadigga, i cili kontrollonte dy xhami në Afrikën e Jugut, përdori pozicionin e tij për të zhvatur para nga anëtarët e xhamive. Sipas Thesarit, Al-Sudani e konsideronte Abadiggan një mbështetës të besueshëm, i cili mund të ndihmonte mbështetësit e IS-it në Afrikën e Jugut të organizohen më mirë dhe të rekrutojnë anëtarë të rinj.
Al-Sudani fillimisht ishte caktuar në Departamentin e Thesarit në vitin 2012 për rolin e tij me al-Shabab, një tjetër organizatë terroriste që vepron në Somali. Ai ndihmoi luftëtarët e huaj të udhëtonin në një kamp trajnimi të al-Shababit dhe lehtësoi financimin për ekstremistët e dhunshëm në Somali, sipas një zyrtari të lartë të administratës.
Asnjë civil nuk u plagos apo u vra në operacion, thanë zyrtarët e Pentagonit. Një amerikan i përfshirë në operacion u kafshua nga një qen ushtarak, por nuk u plagos rëndë, tha një zyrtar i administratës.
Zyrtarët amerikanë dhanë detaje të pakta në lidhje me mënyrën se si u krye operacioni apo rrethanat rreth vrasjes së al-Sudanit. Një zyrtar tha se forcat amerikane kishin synuar të kapnin al-Sudanin, por kjo nuk doli të ishte “e realizueshme”.
Operacioni vjen disa ditë pasi Komanda e Afrikës tha se kishte kryer një sulm kolektiv të vetëmbrojtjes në verilindje të Mogadishut. Në atë incident, forcat e Ushtrisë Kombëtare të Somalisë u angazhuan në luftime të ashpra pas një sulmi të zgjatur dhe intensiv nga më shumë se 100 luftëtarë të al-Shababit.
Shtetet e Bashkuara vlerësuan se rreth 30 luftëtarë të al-Shababit u vranë në atë operacion.
Ofensiva e forcave somaleze kundër al-Shababit është përshkruar si më e rëndësishmja në më shumë se një dekadë.
Al-Shababi ka një gjurmë shumë më të madhe në Somali sesa IS-i.
(Zëri i Amerikës)