Hagë, 27 janar 2023 – Gjykimi i ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, do të fillojë më 21 shkurt, është njoftuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të njohura si Gjykata Speciale,
“Më 26 janar, Trupi Gjykues I vendosi që gjykimi kundër Pjetër Shalës të fillojë të martën, më 21 shkurt 2023, në orën 09:30. Deklaratat hyrëse të ZPS-së, Mbrojtësit të Viktimave dhe Mbrojtjes, për të cilat secilës palë do t’i caktohen nga 2 orë, do të mbahen në të njëjtën datë dhe më 22 shkurt, ndërsa paraqitja aktuale e provave do të fillojë më 27 mars 2023. Më shumë detaje, duke përfshirë informacionin për oraret e seancave në periudhën e parë, mund të shihen në vendimin aktual”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ai akuzohet për krime të kryera midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që janë mbajtur të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë, e cila pretendohet se përdorej nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
(r.m.)