Përkujtimi i Holokaustit: Refik Veseli – shqiptari që shpëtoi qindra hebrej

Emri i fotografit shqiptar Refik Veseli, i cili ndihmoi familje hebreje në kohën e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, është përjetësuar në Yad Vashem. Një shkollë në Berlin e mban sot emrin e tij.

 

Në Murin e Nderit, në Kopshtin e të Drejtëve, në Yad Vashem, Qendrën Botërore të Përkujtimit të Holokaustit, është gdhendur edhe emri i fotografit Refik Veseli, mes dhjetra emra shqiptarësh që shpëtuan jetën e qindra hebrejve nga nazistët duke rrezikuar të tyre.

Refiku jetoi aq gjatë sa të shkonte disa herë në Izrael, të pritej me nderime dhe t‘i akordohej nga autoritetet izraelite titulli „Qytetar Nderi mes Kombeve”, të merrte „Çertifikatën e Mirënjohjes”, të vizitonte familjen që e kishte strehuar në vitet e errëta të pushtimit nazist, pas vendosjes së saj në Izrael . Ai ndërroi jetë në vitin 2000, pa përjetuar një nderim tjetër: emërtimin me emrin e tij të një shkolle të mesme në Berlin, të kërkuar nga vetë nxënësit e shkollës. 

Maskuar si fshatarë të hipur në mushka

Në vitin 1941, fotografi hebre Mosha Mandil, me gruan dhe dy fëmijë të vegjël kishte mbërritur në Tiranë nga  Beogradi për t‘i shpëtuar përndjekjes së atjeshme nga nazistët.

„Për të jetuar ai kërkoi punë në studion fotografike ‚NESHA‘ në qendër të Tiranës së atëhershme, atje ku sot është Pallati i Kulturës, ku punonte si fotograf edhe babai im. Në Beograd, Mosha Mandil, kishte qenë një fotograf i mirënjohur profesionist. Filloi punë menjëherë dhe u bë pjesë e rëndësishme e studios „NESHA”. Familjen, me dy fëmijët e vegjël, djalin Gavro dhe vajzën Ela, pronari i studios dhe babai im 18 vjeçar i strehuan në disa magazina, ngjitur me studion”, më tregon për DW Fatmir Veseli, djali i Refikut.

Rreziku i zbulimit të tyre sa shkonte dhe rritej.  Nazistët bënin kontrolle të shpeshta edhe në studion „NESHA” për të kapur hebrejtë dhe për t‘i dërguar në kampet e shfarrosjes.

„Babai im vendosi ta largojë familjen e hebreut Mosha Mandil nga Tirana. I veshi si fshatarë, me qeleshe dhe rroba karakteristike, i hipi në mushka dhe i shoqëroi vetë në shtëpinë e prindërve të tij në Krujë. Pas disa muajve po aty u strehuan edhe edhe dy vëllezërit hebrej Jozef. Babai im la punën në Tiranë dhe iu bashkua forcave çlirimtare. Famlija e Mosha Mandilit dhe vëllezërit Jozef qendruan në Krujë, me  familjen e gjyshit tim deri në çlirimin e vendit nga pushtimi nazist”, thotë për DW, Fatmir Veseli.

Për 55 vjet me rradhë deri sa Refik Veseli ndërroi jetë në vitin 2000 familja e Mosha Mandilit i ruajti lidhjet me atë që quante „pjesa shqiptare e familjes sime”. Në prag të shembjes së regjimit komunist, në vitin 1990, Refik Veseli, shkoi në Jeruzlem duke u bërë shqiptari i parë që mori titullin “Qytetar nderi mes Kombeve”. Pas shembjes së regjimit komunist dy pjesët e familjes së Mosha Mandilit u bashkuan shpesh në Tiranë dhe Izrael. Refiku, hebreu Mosha dhe djali i tij Gavro tanimë nuk jetojnë. Ata nuk arritën të gëzojnë suprizën që do t’u sillte në vitin 2014 një grup nxënësish nga Berlini. 

Nga Yad Vashem, në Friedrichshain-Kreuzberg, në Berlin

Janë pasardhësit e Refik Veselit dhe të Mosha Mandilit që mbajnë gjallë historinë e familjeve të tyre dhe e kalojnë nga brezi në brez. Historia vazhdon të jetojë edhe tek vizitorët e Yad Vashem nga shpjegimet e ciceronëve, produktet dixhitale dhe dokumentarët që shfaqen atje.

Një grup të rinjsh dhe të rejash gjermanë, nxënës në një shkollë të mesme në Berlin, që vizituan në vitin 2013 Yad Vashem u njohën edhe me historinë e shpëtimit të familjes së hebreut Mosha Mandil nga familja e fotografit shqiptar mysliman Refik Veseli.

„Kjo histori u la mbresa të thella nxënësve gjermanë. Meqënëse shkolla e tyre në Friedrichshain-Kreuzberg në Berlin, nuk kishte ende një emër, ata u propozuan autoriteteve përkatëse që ta emërtonin atë “Refik Veseli.” Kërkesa e tyre u pranua. Emociom i madh edhe për mua kur më ftuan për inagurimin e emërtimit të shkollës me emrin e babait tim. Mbajmë lidhje me brezin e ri, djemtëe mi me fëmijët e Gavros dhe të Elës, vajzës së Mosha Mandilit. Vendosëm që djemve tanë t’u vinim të njëjtin emër: djali im dhe ai i Gavros Mandilit kanë të njëjtin emër: Ron”, tregon për DW, Fatmir Veseli.

Edhe një qiri i vogël thyen një det errësire

Shqipëria rezulton të jetë i vetmi vend ku hebrejtë nuk iu dorëzuan nazistëve. Shqiptarët mbrojtën jetën e qindra hebrejve dhe i ndihmuan ata që ikën nga Gjermania dhe Austria për t’i shpëtuar shfarrosjes naziste së vrasjes së gjashtë milion hebrejve.

 Jeta e refugjatëve hebrej në Shqipëri arriti të shpëtohej në sajë të një marrëveshjeje të pashkruar të gjithë shqiptarëve: myslimanë, katolikë dhe ortodoksë. Kur autoritetet më të larta të klerit shqiptar të asaj kohe u thirrën në Berlin nga pushtuesit nazistë ata u kërkua atyre dy gjëra; të drejtën mbi arin e Shqipërisë të depozituar në Itali dhe listën e hebrejve të strehuar në Shqipëri. Përgjigja e përfaqësuesve të klerit shqiptar ishte: Arin po, hebrejtë jo!

„Ky vend shumë i vogël në Ballkanin Perëndimor i tregoi pjesës tjetër të botës që nuk duhet të jesh fuqia më e fortë për të mbetur njërëzore. Shqiptarët: katolikë, ortodoksë myslimanë, pavarësist se cilës fé i përkisnin vendosën të ndiqnin vlerat humane dhe kodin e nderit dhe të shpëtonin hebrejtë që ishin në Shqipëri. Kur pushtuesit nazistë u kërkuan që të gjithë hebrejtë t’i nxirrnin në sheshet e qyteteve, sheshet mbetën bosh. Në fund të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri kishte më shumë hebrej sesa para luftës. Asnjë hebre  nuk iu dorëzua nazistëve”, thotë për DW Galit Peleg, ambasadore e Izraelit në Tiranë,

Ajo thekson që “antisemitizmi ngre shpesh kokën e tij të shëmtuar në Europë sikur të mos kemi nxjerrë asnjë mësim nga Holokausti. Në Shqipëri, pavarësisht nga diversiteti fetar, nuk egziston antisemitizmi. Përfaqësuesit e saj në institucionet ndërkombëtare po qendrojnë fort, me zë të lartë në deklarimet e tyre  kundër akteve antisemitike”.

„Kjo është një zgjedhje e guximshme e shqiptarëve atëhere dhe tani, për të mbrojtur vlerat e tyre dhe përhapur dritë, sepse edhe një qiri i vogël thyen detin e errësirës”, thotë për DW, Galit Peleg.

(Ani Ruci, DW)