Prishtinë, 31 janar 2023 – Të hënën në Kosovë arritën katër gazetarë afganë, që përballen me përndjekje në vendin e tyre. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se Amina Omid, Ahmad Shaker, Nimatullah Gholami dhe Raifullah Nikzad, do të strehohen për një periudhë deri në dy vjet në Kosovë.
Strehimi i gazetarëve afganë realizohet me mbështetjen e Federatës Evropiane të Gazetarëve, Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias dhe qeverisë gjermane, ndërsa do të zbatohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Strehimi i tyre pasoi vendimin e muajit dhjetor të qeverisë së Kosovës që pesë gazetarëve nga Afganistani t’u sigurohet strehim, pagë mujore, sigurim shëndetësor dhe biletë kthimi, kur rrethanat të krijohen që ata të kthehen në shtëpitë e tyre.
Kjo është hera e dytë që Kosova ofron mundësi të tillë për gazetarët e huaj, pas strehimit të disa gazetareve ukrainase që u detyruan ta lënë vendin e tyre për shkak të agresionit rus në Ukrainë.
Vitin e kaluar Kosova pranoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për strehimin e rreth 2 mijë refugjatëve afganë, pjesa më e madhe e të cilëve janë strehuar më pas në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.
(Zëri i Amerikës)