Në Vatër u bë promovimi i katër librave të autorit Besim Muhadri

Profesor Bexhet Asani : “Kur lodhet autori pushon lexuesi, kur lodhet lexuesi ka pushuar autori!”

Nga Beqir Sina

NEW YORK

Në vazhdën e aktiviteteve për promovimin e librave, të dielën në mesditë, Federata PanShqiptare “Vatra” në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë promovuan në Shtëpinë e Vatrës, katër vepra studimore dhe publicistike, të Prof. Asoc. Dr. Besim Muhadrit: “Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”, “Profesor Rexhep Krasniqi-Një jetë në shërbim të Shqipërisë etnike”, “Esencat e mendimit letrar”, dhe libri “Studies on Albanian Literature and Ethnology”. Libra në gjuhën shqipe këto të autorit Besim Muhadri, autor i 24 líbrave.

Aktiviteti u mbajt më 29 janar në sallën qendrore të shtëpisë së Vatrës, me pjesëmarrjen e vet autorit, anëtarëve të familjes, shkrimtarëve, studiuesve, veprimtarëve të çështjes kombëtare, drejtues e përfaqësuesve të shoqatave në komunitetin shqiptare në zonën e Tri-Shteshit.

Në cilësinë e mikpritësit, nën kryetari i saj, Dr. Pashk Camaj, në hyrje ka shprehur kënaqësinë në emër të Vatrës, që katër libra të prezantuar nga vet autori janë bërë pjesë e promovimeve të Vatrës, dhe të pasurimit të kohëve të fundit të bibliotekës së Vatrës, bibliotekë kjo, tha ai që po gjen lexuesit dhe të interesuarit, e shprehur edhe në numrin relativisht të madh të vatranëve, shkrimtarëve dhe aktivistëve të komunitetit.

Më pas Camaj foli për rëndësinë e promovimin të letrave shqip, në komunitet e në veçanti duke theksuar rëndësinë e shkrimeve të natyrës shkencore, dhe të studimeve: “ Pikërisht aty ku studiuesit tanë, konfirmojnë historinë reale, jo si e kanë shkruar tjerët, e në veçanti atë që nuk i kemi pas mirëdashës….me këto libra studimor ne tregojmë kush jemi dhe ku dëshirojmë të shkojmë si popull”. u shpreh Camaj.

Ambasador Frymëzim Isufaj i ardhur posaçërisht nga Uashingtoni për promovimin e këtyre katër veprave të Besim Muhadrit, ndër të tjera tha se “veprat që promovohen sot në Vatër, janë një punë e zellshme, një trashëgimi e madhe dhe e rëndësishme për letërsinë, historinë dhe shqiptarët e Diasporës”.

Aktivitetin e moderoi shkrimtari Mëhill Velaj, i cili është mjaft aktiv në aktivitetet kulturore e artistike të komunitet, dhe është autor i disa librave.

Për aktivitetin në “Vatër”, ka folur në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane, presidenti i saj Andnan Mehmeti, i cili ka prezantuar me këtë rast edhe librat që janë promovuar në vitin 2022, nga Shtëpia Botuese “Adriatik Press” dhe autorët respektivë, ku përfshihet dhe Besim Muhadri me dy libra .

Presidenti i shoqatës duke e uruar prof Dr. Besim Muhadrin, pedagogun e mirënjohur në universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” për promovimin e 4 librave të tij në Vatër, tha:

“Më vjen shumë mire që këtë vit ta nisim me mbarësinë e Festës së Librit. “E para ishte Fjala”, shkruhet në librin e besimit. Fjala është profesioni, puna e përditshme, dashuria e shkrimtarit Besim Muhadri. Është frymëzimi, shtytja, motivimi për jetën e librin. Besimi kalon oqeane e kontinente dhe vjen mes nesh me mjeshtërinë e fjalës. Më tepër se fjala te ai ka folur e flet dhe vepra e tij.  Dhe ja sot jemi mbledhur për ta promovuar mes nesh këtë pasion.”

Më pas Mehmeti, tregoi se Besim Muhadri, ka qenë anëtar mjaft aktiv që nga viti 2009, dhe mbi të gjitha mes lexuesve shqiptaro-amerikanë.

“Dy prej librave të tij i ka botuar Shtëpia Botuese “Adriatik Press” ku jam i nderuar që jam redaktor i librave në fjalë, tha ai duke shtuar se Besim Muhadri tash e 14 vjet zhvillon jetën mes Amerikës. Deri më sot ka botuar mbi 30 vepra. Është marrë me mjaft profesionalizëm edhe me hulumtimin dhe veprimtarinë e anëtarëve si dhe të lidhjes sonë. Ai ka shkruar mjaft kumtesa dhe studime.”

Po ashtu presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve – Andnan Mehmeti, adresoi urimet më të sinqerta ndaj punës së palodhshme të Kryetarit të Shoqatës Mëhill Velaj dhe editorit të Diellit, Sokol Pajës, për kontributin e çmuar që kanë dhanë për këtë organizim akademik, të kësaj veprimtarie.

Ndërsa, shtojë: “Ku ka gjë më të mirë se të ndajmë me ju shkrimtarë të dashur edhe njoftimin se në këtë fillim viti del dhe numri 10 i revistës PENA, organ i Shoqatës së Shkrimtarëve, me krijimet e përzgjedhura të anëtarëve tanë. Pas 75 viteve të botimit të parë, sjellim para jush ribotimin e kryeveprës së letërsisë shqipe që është ”Albumi” i Fan Nolit.  Një falenderim publik për doktoreshën Arjeta dhe Neka Doko, me të cilat bashkëpunuam për ta sjellë para lexuesit.”

Dr. prof. Bexhet Asani, në vështrimin e tij, duke i njohur meritat autorit Muhadri për librin e tij, erdhi me një kumtesë, të cilën ai e kishte titulluar” Një studim i thukët par Kanunin e Lekës”, kumtesë e cila tha ai do të botohet në revistën Pena dhe gazetën “Dielli” e plotë.

“Disa herë kam dashur që të shkruaja për “Kanunin e Lekë Dukagjinit” dhe autorin e këtij libri Shtjefën Gjeçovin,” tha profesor Asani, duke vijuar“ por asesi nuk më jepej rasti dhe ja tani m’ u dha rasti ta bëj një recension për veprën studimore “ Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”  të profesor Besim Muhadrit”.

Një studiues shkruan tha profesor Asani: “Kur lodhet autori pushon lexuesi, kur lodhet lexuesi ka pushuar autori!” Cilido që ta lexojë studimin shkencor “Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” do të kënaqet duke lexuar së pushuari. Pse? Sepse për këtë studim të thukët është lodhur autori i librit Besim Muhadri, prandaj libri lexohet me një frymë e pa u lodhur.”

Profesor Bexhet Asani, shkrimtar dhe poet nga Struga, i cili ka kontribuar në gjuhë dhe letërsinë shqipe, tha së fundi se “Profesor Besim Muhadri, është autor i mbi 24 veprave letrare dhe shkencore. Nuk e përmenda rastësisht numrin e veprave të tij, jo për të treguar sasinë, por për të treguar produktivitetin, cilësinë dhe seriozitetin e këtij albanologu. Ai është pjesëmarrës në shumë Simpoziume e Konferenca Shkencore me karakter Kombëtar dhe Ndërkombëtar. Dr. Besim Muhadri jo vetëm që ka bërë emër në Shkencat Albanologjike, e që zë një vend të merituar, në fushë të arsimit e që ka arritur majat e Universitetit si ligjërues por ai është edhe një rapsod popullor i talentuar. E studiuesit e tillë të kompletuar janë të rrallë” tha ai.

“Letërsia dhe etnologjia në një libër”

Studiuesja Arjeta Ferlushkaj – Kotrri (Ph.D.), e cila kumtesën e saj të plot e ka të publikuar sot edhe në gazetën Dielli, foli par librin “Studies on Albanian literature and ethnology, Kanun of Lekë Dukagjini”, ku si tha ajo pasi e kemi lexuar kemi mundësi të njihemi me qasjen e studiuesit Besim Muhadri ndaj dy fushave që nuk lidhen drejtpërdrejt me njëra-tjetrën. Autori e ka strukturuar librin në dy pjesë: 1. Studime letrare shqiptare, pjesë në të cilën analizohen 5 autorë shqiptarë: Ismail Kadare, Hivzi Sulejmani, Din Mehmeti, Murat Isaku dhe Adnan Mehmeti.

“Si përfundim, ky libër i studiuesit Besim Muhadri, është një prekje interesante në krijimtarinë e disa autorëve shqiptarë, ku Muhadri ka shfaqur kujdes edhe ndaj kufijve gjeografikë (nuk ka përfshirë vetëm autorë nga Kosova). Gjithashtu, është një botim mjaft tërheqës për studiues apo lexues të apasionuar të njohin më në detaje kanunin e Lekë Dukagjinit, se si shihet nga brenda e jashtë shqiptarisë.” tha studiuesja Arjeta Ferlushkaj – Kotrri (Ph.D.), duke i uruar Besim Muhadrit suksese të mëtejshme, dhe, e falënderojë për kontributin e vazhdueshëm në fushën e letrave shqipe.

Shpend Gjocaj i cili tha se e njihte autorin prej viteve ‘90 kohë, kur ai dhe babai i tij Avdyl Gjoçaj, patriot e atdhetar, ish mësues i njohur, lëvruan gjuhën shqipe në krahinën e Hasit, përkatësisht në kohën e represionit të egër serb, ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ai lexoi një pjesë nga libri i Besim Muhadrit dhe falënderoi profesorin për punën e shkëlqyer dhe përpjekjet për lirinë e Kosovës.

Studiuesi Dr. Paulin Marku në pamundësi të marrë pjesë (për arsye personale) në fjalën përshëndetëse të lexuar nga Editori i Diellit u shpreh se “Prof. Besim Muhadri, është një ndër kërkuesit që ka bere një pune cilësore, kërkimore shkencore dhe parashtron një bibliografi te gjere për te trajtuar një periudhe te rëndësishme historike të përdorimit të kanunit të leke Dukagjinit. Pra, Muhadri bën një analize të veprës “Kanuni i Leke Dukagjinit” për të bere të njohur në mënyrë të përmbledhur vlerat dhe risitë e këtij studimi. Kumtesa e Idriz Lamajt lexuar nga Editori i Diellit fokusohet te puna e jashtëzakonshme e Dr.Rexhep Krasniqit dhe Komitetit “Shqipëria e Lirë” në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës”.

Studiuesja Valdete Dida Cenalia pjesë e kumtesave, kumtoi rreth rolit të Rexhep Krasniqit për Shqipërinë natyrale. Kritiku letrar Pal Ndrecaj – shkrimtar dhe gazetar, foli rreth rëndësisë së krijimtarisë letrare dhe studimore të të katër librave të Prof. Besim Muhadrit.

Shkrimtari, poeti dhe publicisti i njohur i komunitetit Tom Paloka, erdhi të përshëndes autorin e katër librave Besim Muhadrin, me dy poezi të shkruara posaçërisht për këtë veprimtari kushtuar Rexhep Krasniqit dhe Shtjefën Gjeçovit.

Në fund të kumtesave dhe përshëndetjeve, me një surprizë erdhi dhe piktori skenograf z.Astrit Tota, i cili i dhuroi një pikturë të tij, e cila kishte në qendër të saj një urë “Central Park” të cilën tha artisti Tota, është “ura lidhëse e jetës së autorit, mes Kosovës, dhe Nju Jorkut, në shenjë vlerësimi mbi krijimtarinë e tij në fushën e albanologjisë dhe historisë kombëtare”.

Në fjalën përmbyllëse Prof. Besim Muhadri, falenderoi organizatorët, referuesit, pjesëmarrësit dhe shpjegoi në detaje peripecitë e punën voluminoze në përgatitjen e katër botimeve që u promovuan në Vatër.

Duke folur për librin “Prof. Dr. Rexhep Krasniqi- Një jetë në shërbim të Shqipërisë etnike”, ai falenderoi në mënyrë të veçantë studiuesin Idriz Lamaj.

Autori tha se ky libër  i paraqitet lexuesit me fakte dhe vlerësime të reja për figurën e Rexhep Krasniqit, kryetari i Komitetit Shqipëria e Lirë, me seli në Nju Jork, dhe si një nga prijetarët e historiografisë shqiptare, veprimtar i çështjes kombëtare dhe si një nga studiuesit e parë shqiptarë që iu qas arkivave austriake për ndriçimin e së kaluarës tonë…

Në ndërkohë, Muhadri tha se për librin “Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, ai ka qemtuar duke shpërfaqur vlerat e jashtëzakonshme të së Drejtës sonë zakonore, kodifikuesin e saj, si dhe aspekte të rëndësishme të studimeve për të nga ana e studiuesve, qofshin ata të huaj, apo shqiptarë.

Kurse, në librin “Esencat e mendimit letrar” autori tha se na jep kontributin e tij për mendësinë e studimeve letrare si dhe në evidentimin dhe shpërfaqjen e esencave dhe vlerave estetike e letrare të autorëve shqiptarë të periudhave të ndryshme.

Ndërkaq, në librin “Studiues on Albanian literature and ethnology”, Besim Muhadri për lexuesin anglishtfolës ka prezantuar disa nga studimet e tij të botuara në revista ndërkombëtare, ku ai prezanton disa nga shkrimtarët e njohur shqiptarë si dhe studimet për të Drejtën Zakonore Shqiptare, përkatësisht Kanuni i Lekë Dukagjinit…

Promovimi u mbyll me dhurimin e librave me nënshkrimin e autorit fotografit e përbashkëta dhe një koktejl të përgatitur nga biznesmeni Toni Musaj.