– Kërcënimet e diplomatëve perëndimorë për të krijuar Asociacion të pastër etnik janë të padrejta, jodiplomatike, jodemokratike, të parealizueshme dhe të papranueshme për Kosovën.
Nga MSc. Agim Aliçkaj
Propozimi prej 6 pikash i kryeministrit Albin Kurti i paraqitur në Kuvendin e Kosovës për asociacionin e pastër etnik serb është i drejtë, i ndershëm, parimor dhe vizionar. Ju shërben interesave të Kosovës, Evropës dhe Amerikës. Do të ishte i mirë dhe për Serbinë sikur të ishte shtet normal. Serbia ka qenë dhe mbetet shtet shovinist, racist, fashist dhe hegjemonist. Komb i sëmurë me shumicë me urrejtje për shqiptarët dhe kombet e tjera për rreth.
Të gjitha pikat janë qenësore, por reciprociteti ka rëndësi të veçantë. Realisht, prej bisedimeve të Ahtisarit e deri sot, gabimi më i madh i Kosovës është lejimi i Serbisë të përzihet në punët e brendshme pa i konsideruar të drejtat e popullit shqiptar në Serbi. Për asociacion dhe të drejta minoritare duhet biseduar vetëm me minoritetin serb të Kosovës, në prezencën ndërkombëtare dhe askend tjetër. Në dialogun me Serbinë duhet të merren parasysh vetëm çështjet ndërmjet vendeve fqinje. Për çdo gjë tjetër vetëm me reciprocitet.
Ulurimat për më shumë të drejta për pakicën serbe janë të pabaza. Parimi i vetëvendosjes është bërë cirkus. Çdokush mund të kërkojë autonomi ose bashkim me një vend fqinj për çfarëdo arsye! Synimi i Serbisë është i qartë, të shkatërrojë Kosovën dhe të dominojë Ballkanin Perëndimor. Shëmtitë dhe kërkesat e Serbisë janë të pafundme. Iluzionet e diplomatëve perëndimorë janë tronditëse. Kërcnimet e tyre për ta krijuar Asociacion të pastër etnik janë të padrejta, jodiplomatike, jodemokratike, të parealizueshme dhe të papranueshme për Kosovën.
Në ditët e ardhshme presioni ndërkombëtar por edhe serb me trazira në veri mund të shtohet. Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani nuk kanë zgjidhje tjetër veçse t’i bëjnë ballë këtij presioni të padrejtë dhe joparimor. Njësitë speciale, policina dhe ushtrina të vëhen në gjëndje gadishmërie. Ata e kanë përkrahjen e popullit shumicë të Kosovës, Trojeve Etnike Shqiptare dhe më shumë se 90% të Mërgatës anë e kënd botës. Nëse lëshojnë pe do ta humbin mbështetjen e popullit por edhe respektin e atyre që janë duke iu bërë presion.
Diplomatët perëndimorë kanë synimet e tyre për interesa gjeopolitike, që ta nxjerrin Serbinë nga sfera e interesit ruse duke bërë lëshime në kurriz të Kosovës. Për ta është e rëndësishme vetëm që konflikti të mos eskalojë në një luftë të rrezikshme në Ballkan dhe Evropë. Atyre nuk ju interesojnë fare problemet me të cilat do të ballafaqohet Kosova me shekuj në të ardhmen dhe kush do ta kontrollojë Ujmanin apo Trepçën.
Zyrtarët ndërkombëtarë vijnë e shkojnë. Ka arsye për të shpresuar dhe besuar se kur të binden se Serbia nuk mund të dalë nga kthetrat e Rusisë, do të ndryshojnë qëndrimin e tyre të padrejtë, që bie ndesh me vlerat e tyre të shpallura me zell. Ata u vonuan shumë, Rusia arriti të hyjë dhe të kontrollojë Serbinë. Sigurisht, kjo nuk është në mendjen e sundimtarëve serbë, por edhe nëse duan, nuk mund të shkëputen nga Rusia. Në parim, diplomatët perëndimorë duhet të mbështesin të drejtën e Kosovës për të ekzistuar në mënyrë të pavarur dhe sovrane.
Qëndrimet e opozitës së Kosovës, qeverisë së Shqipërisë dhe përkrahësve të tyre në media janë të mjerueshme. Nuk është mirë që të shpallën ende tradhtarë, sepse ndoshta kthehen kah interesi i shtetit të tyre. Por kur shihen deklaratat dhe veprimet e tyre, nuk mund të mos krijohet përshtypja se ata po përpiqen për “bashkim” me Serbinë në vend që të kërkojnë bashkim me Shqipërinë, ndërkohë që kryeministri i vendit amë Edi Rama, synon bashkimin me Serbinë duke e nënshtruar Kosovën. Nëse vazhdojnë kështu, mund ta harrojnë ardhjen në pushtet për një kohë të gjatë.
Askush nuk mund ta shtypë vullnetin e popullit të Kosovës për demokraci, drejtësi, liri dhe pavarësi.
Familja, kombi dhe shteti, janë mbi të gjitha!