Tiranë, 9 shkurt 2023 – Partia Demokratike (PD) e ka dorëzuar në polici njoftimin për mbajtjen e protestës më 11 shkurt, në Tiranë.
Ajo parashikon që në protestë të marrin pjesë 80 mijë deri 100 mijë protestues dhe jep detaje për vendosjen e protestuesve dhe të organizatorëvr.
PD shpjegon se protesta shpreh kërkesën për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, i cili thuhet se “ka vënë në rrezik pluralizmin, votën e lirë dhe demokracinë”.
Protesta do të nisë në orën 12:00, por nuk specifikohet se sa do të zgjasë ajo.
“Bazuar në ligjin 8773 datë 24.04.2021 “Për Tubimet”, Partia Demokratike e Shqipërisë do të organizojë në datë 11.02.2023, një tubim protestë në Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit të Shqipërisë pasi ka vënë në rrezik pluralizmin, votën e lirë dhe demokracinë. Tubimi do të mbahet në bulevardin Dëshmorët e Kombit, duke filluar nga ora 12:00;
Pjesëmarrja do të variojë 80 mijë deri në 100 mijë protestues. Protestuesit do të grumbullohen në selinë e Partisë Demokratike, sheshin Nënë Tereza dhe sheshin Skënderbej dhe do të lëvizin në drejtim të Bulevardit Dëshmorët e Kombit”, thuhet në njoftimin e PD-së.
Në njoftim bëhet e ditur se foltorja do të vendoset në Bulevardin e Dëshmorëve, përballë Kryeministrisë, dhe se aty do të flasin drejtues të Partisë Demokratike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Njoftimi i plotë:
Lënda: Njoftim për mbajtje proteste,
Drejtuar:
- TONIN VOCAJ
DREJTUES I PARË, DREJTORIA VENDORE E POLICISË, TIRANË
I nderuar z. Vocaj,
Bazuar në ligjin 8773 datë 24.04.2021 “Për Tubimet”, Partia Demokratike e Shqipërisë do të organizojë në datë 11.02.2023, një tubim protestë në Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit të Shqipërisë pasi ka vënë në rrezik pluralizmin, votën e lirë dhe demokracinë.
- Tubimi do të mbahet në bulevardin Dëshmorët e Kombit, duke filluar nga ora 12:00;
- Pjesëmarrja do të variojë 80 mijë deri në 100 mijë protestues. Protestuesit do të grumbullohen në selinë e Partisë Demokratike, sheshin Nënë Tereza dhe sheshin Skënderbej dhe do të lëvizin në drejtim të Bulevardit Dëshmorët e Kombit,
- Foltorja do të vendoset në Bulevard përballë Kryeministrisë.
- Personat që do të flasin në protestë do të jenë drejtues të Partisë Demokratike dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile.
- Grupi i personave ndihmës për mbarëvajtjen e tubimit do të jenë rreth 200 persona me moshë mbi 18 vjeç, të pajisur me shenjat dalluese, shirit i bardhe me mbishkrimin PMT.
Person përgjegjës do të jetë z Ervin Minarolli, Sekretar Organizativ i Partisë Demokratike të Shqipërisë, cel 0672030212, adresa Selia e PDSH Bulevardi “Zhan D’Ark”, Nr. 11, Tirane. Sa më sipër, njoftimi i aktivitetit për dijeninë tuaj në kuadër të mbarëvajtjes së tubimit.
Duke ju falenderuar paraprakisht.
SEKRETARI ORGANIZATIV
Ervin Minarolli
(r.m.)