Haradinaj i shpreh përkrahje Kurtit: Pranimi i planit evropian – e arritur e madhe

Prishtinë, 28 shkurt 2023 – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka përshëndetur dakordimin me propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Në një reagim në Facebook, Haradinaj ka shkruar se kjo është “një e arritur e madhe”.

“Pajtimi për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është një e arritur e madhe”, ka shkruar Haradinaj.

Ai e ka cilësuar marrëveshjen si “pranim faktik” të pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“Marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike e njohjeve te reja”, ka shkruar Haradinaj.

Postimi i plotë:

Pajtimi për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është një e arritur e madhe.

Marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike e njohjeve te reja.

Po aq e rëndësishme mbetet edhe faza vijuese e bisedimeve për çështjet tjera të hapura, për të cilat dua të besoj se do te gjenden zgjidhjet më të mira, me çka do të përmbyllej edhe kapitulli i njohjes ‘de jure’ midis Kosovës dhe Serbisë!

(r.m.)