Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Pyetje nga lexuesi:
Sapo kam mbërritur në Shtetet e Bashkuara me një vizë vizitori që më dha Ambasada Amerikane në Tiranë. Viza thuhet se është e vlefshme për tre vjet. Oficeri i emigracionit nuk ma ka vulosur pasaportën. A mund të qëndroj në SHBA për 3 vjet?
Faleminderit!
Mario P.
Mirë se vini në Shtetet e Bashkuara! Shpresojmë të kënaqeni. Një vizë tre-vjeçare nuk lejon që të bëni një udhëtim në SHBA dhe të qëndroni aty për tre vjet rresht. Një vizë vizitori tregon se për sa kohë personi që ka këtë vizë mund ta përdorë atë si dhe numrin e hyrjeve që i lejohen. Vizitat tuaja ka shumë të ngjarë të kenë një kufi prej 6 muajsh për secilën nga herët. Ata që kanë një vizë vizitori tre-vjeçare me shumë hyrje, mund të vizitojnë Shtetet e Bashkuara sa herë të duan brenda afatit 3-vjeçar të skadimit. Viza mund të jetë me kohë të pacaktuar dhe e vlefshme për shumë hyrje dalje. Ose, viza mund të jetë e kufizuar në kohë dhe e vlefshme vetëm për një numër të kufizuar hyrjesh. Ky informacion zakonisht jepet direkt në vizë.
Siç mund ta shihni dhe vetë, data e skadimit të vizës është e shtypur në vizë. Zakonisht, kjo do të thotë që viza është e vlefshme ose mund të përdoret nga data e lëshimit deri në datën e skadimit të saj, për udhëtime që kryhen për të njëjtin qëllim, në rastet kur viza është me shumë hyrje. Periudha kohore nga data e lëshimit të vizës deri në datën e skadimit të vizës quhet “periudha e vlefshmërisë” së vizës. Nëse një person udhëton shpesh si turist me vizë me shumë hyrje-dalje, ai ose ajo nuk ka nevojë të aplikojë për një vizë të re sa herë që dëshiron të vijë në SHBA. Koha kur skadon viza nuk duhet të ngatërrohet me kohëzgjatjen e lejuar të qëndrimit në SHBA, e cila i jepet udhëtarit nga oficeri i Doganës dhe i Patrullës Kufitare të SHBA-së (CBP) në pikën e hyrjes. Gjatë një vizite, data e skadimit të vizës nuk ka të bëjë fare me kohëzgjatjen e lejuar të qëndrimit në SHBA.
Viza shërben si leje për të hyrë në SHBA. Ajo është një dokument që ngjitet në pasaportën e atij që udhëton. Vizat lëshohen nga Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara (DOS-i) dhe shumica e vizave lëshohen nga ambasadat dhe konsullatat që gjenden në vendet e tjera. Kur dëshironi të udhëtoni në SHBA, së pari duhet të aplikoni për vizë në ambasadën ose konsullatën amerikane. Është më pas zyrtari aty që vendos nëse kualifikoheni ose jo për të marrë vizë. Viza nuk mjafton për t’i lejuar dikujt që të hyjë në SHBA. Ajo shërben thjesht si provë që aplikimi është marrë në shqyrtim nga zyrtari konsullor i SHBA-së dhe ai zyrtar ka vendosur që personi në fjalë i përmbush kriteret për të udhëtuar drejt SHBA-së për një arsye të caktuar.
Zyrtari i CBP-së në pikën hyrëse është personi që vendos nëse dikush duhet lejuar ose jo të hyjë në SHBA si dhe sa gjatë duhet të rrijë gjatë vizitës në SHBA. Vetëm zyrtari i emigracionit të SHBA-së ka autoritetin për t’i lejuar dikujt të hyjë në SHBA. Zyrtari zakonisht vë një vulë në dokumentin e udhëtimit të udhëtarit që vjen me vizë jo-emigruese. Vula përmban datën e pranimit në SHBA, kategorinë nën të cilën është pranuar si dhe datën kur udhëtari duhet të largohet nga SHBA-ja. Zakonisht, zyrtari i CBP-së e lejon dikë të rrijë deri në gjashtë muaj.
Dikur, ky informacion vihej në formularin I-94 Arrival/Departure Record. Kjo nuk bëhet më për udhëtarët që mbërrijnë në SHBA nga ajri ose deti. CBP-ja tani e mbledh informacionin mbi mbërritjen dhe largimin e udhëtarëve në mënyrë automatike nga të dhënat elektronike të udhëtimit. Në vend që të japë formularë I-94, tani CBP-ja thjesht skanon pasaportën e udhëtarit, duke krijuar kështu të dhënat elektronike të mbërritjes me elementë që gjenden në formularin aktual I-94.
CBP-ja jua bën të mundur t’i gjeni të dhënat elektronike të I-94-ës suaj në faqen www.cbp.gov/I94 Personat që udhëtojnë mund të shkojnë në këtë faqe interneti nëse duan të printojnë numrin e tyre elektronik I-94 përpara se të aplikojnë për të kërkuar ndihma publike ose benefite nga emigracioni, të tilla si patentë shoferi ose një numër të Sigurimeve Shoqërore. Këto konsiderohen si të dhënat tuaja të ligjshme që lidhen me pranimin në SHBA. Nëse dikush kërkon informacion mbi mënyrën si jeni pranuar në SHBA, ky është formulari që duhet të jepni.
Nëse jeni përpjekur të merrni I-94-ën tuaj nga sistemi zyrtar online dhe keni marrë përgjigjen se I-94 juaj “Nuk gjendet”, ju lutemi të kontrolloni sa vijon:
E keni futur emrin dhe mbiemrin tuaj saktësisht ashtu siç janë në pasaportë?
Keni futur numrin e pasaportës që ndodhet në anën e djathtë lart të pasaportës?
Keni futur vendin tuaj të nënshtetësisë (vendin që ka lëshuar pasaportën, jo vendin ku banoni aktualisht)?
Nëse keni futur emrin e parë dhe të dytin dhe nuk keni gjetur gjë, provoni të fusni vetëm njërin nga emrat dmth njëherë njërin dhe njëherë tjetrin. Provoni gjithashtu të fusni të dy emrat në kutinë ku presupozohet të futet vetëm emri i parë.
Nëse pasi keni provuar sa më lart, dhe nuk jeni ende në gjendje të gjeni I-94-ën tuaj, kontaktoni qendrën e komunikimit me publikun – Traveler Communications Center (TCC) – të CBP-së duke klikuar në “Ask Us A Question” në faqen https://help.cbp.gov/s/questions?language=en_US Seleksiononi temën që lidhet me çështjen tuaj si dhe gjithë çështjet që lidhen me të.
Mund të ndodhin disa gjëra të cilat mund të çojnë në anulimin e periudhës kohore gjatë së cilës viza është e vlefshme. Qëndrimi përtej afatit të qëndrimit të autorizuar, është një veprim që zakonisht çon në anulimin automatikisht të vizës. Megjithatë, nëse dorëzoni në kohë një aplikim për të zgjatur kohëqëndrimin ose për të ndryshuar statusin dhe aplikimi në fjalë është në pritje të shqyrtohet dhe nuk është i rremë, atëherë viza, zakonisht, nuk anulohet. Për të qëndruar më gjatë duhet të aplikoni për një shtyrje të kohës së qëndrimit. Për këtë qëllim duhet të përdorni Formularin I-539, të USCIS-it (Application to Extend/Change Nonimmigrant Status).
Një vizitor duhet të shohë me kujdes datat e qëndrimit të autorizuar dhe të sigurohet që ai/ajo po ndjek procedurat siç duhet. Nëse dështon për ta bërë diçka të tillë, vizitori rrezikon të mbetet pa status. Qëndrimi përtej afatit të lejeqëndrimit të autorizuar përbën shkelje të ligjeve të emigracionit në SHBA dhe mund të çojë deri aty ku personi të mos kualifikohet për të marrë më vizë në të ardhmen. Këtu hyn në lojë dhe ligji që pengon dikë të rihyjë në SHBA dhe pasojat në këtë rast janë serioze. Në rubrikat e ardhshme, do të trajtojmë disa nga çështjet që lidhen me pengesat për t’u rifutur në SHBA.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]