Meksika: Dy nga katër amerikanët e rrëmbyer janë vrarë

Matamoros (Meksikë), 7 mars 2023 – Dy nga katër amerikanët e rrëmbyer në Meksikë javën e kaluar janë të vdekur dhe dy janë ende të gjallë, tha guvernatori i shtetit meksikan.

Katër shtetas amerikanë u rrëmbyen nën kërcënimin e armës më 3 mars, teksa po udhëtonin me makinë për në qytetin Matamoros, në shtetin verilindor meksikan të Tamaulipas.

Sipas familjarëve, ata kishin udhëtuar për në Meksikë për të kryer ndërhyrje estetike.

Zyrtarët amerikanë nuk kanë konfirmuar ende vdekjen e dy shtetasve të tyre.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Meksikës konfirmoi se nga katër amerikanët, “dy janë të vdekur, një person është i plagosur dhe tjetri është ende gjallë”, tha guvernatori i Tamaulipas, Americo Villarreal, gjatë një konference për media.

Autoritetet amerikane dhe meksikane kanë kryer hetime lidhur me rrëmbimin dhe kanë qenë në kërkim të katër shtetasve amerikan. Një grua meksikane u vra në incidentin e të premtes së kaluar.

CBS News ka raportuar se amerikanët e rrëmbyer ishin: Latavia “Tay” McGee, Shaeed Woodard, Eric James Williams dhe Zindell Brown.

Që të katërt po udhëtonin përmes Matamoros – qytet me 500.000 banorë që gjendet përgjatë kufirit mes SHBA-së dhe Meksikës në Teksas – me një mini-furgon me targa të Karolinës së Veriut, kur një person i armatosur, i paidentifikuar deri më tani, hapi zjarr ndaj tyre, tha më herët gjatë javës Byroja Federale e Hetimit (FBI).

Një video ka shfaqur se si ata janë futur në një makinë tjetër ku gjendeshin persona të armatosur rëndë.

Presidenti meksikan, Andrés Manuel López Obrador, e ka përshkruar këtë incident si “konfrontim midis grupeve të armatosura”.

(REL)