Tetë të vrarë në një objekt të Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani

Hamburg (Gjermani), 10 mars 2023 – Tetë persona janë vrarë dhe disa tjerë janë plagosur në një sulm me armë zjarri brenda një objekti të përdorur si kishë nga Dëshmitarët e Jehovait në qytetin verior gjerman të Hamburgut, të enjten në mbrëmje.

Sulmi ndodhi në lagjen Gross Borstel, disa kilometra në veri të qendrës së qytetit, i cili është qyteti i dytë më i madh në Gjermani.

Policia bëri të ditur se në mesin e të vdekurve është edhe autori i sulmit. Ai është identifikuar si Philipp F. , 35 vjeçar, i cili kishte qenë anëtar i Dëshmitarëve të Jehovait në Hamburg deri para një viti de gjysmë, kur ishte larguar në mënyrë të vullnetshme nga ky komunitet. Por, dyshohet se ndarja e tij me kishën ishte bërë me konflikte.

Kryetari i Bashkisë së Hamburgut, Peter Tschentscher, në një postim në Tëitter e cilësoi “tronditës” lajmin dhe u shprehu ngushëllime familjeve dhe të afërmve të viktimave.

Edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, u shprehu ngushëllime familjeve dhe të afërmve të viktimave të sulmit, të cilin e quajti “akt brutal dhune”.

“Disa anëtarë të komunitetit Jehovai dje në mbrëmje janë bërë viktimë e një akti brutal të dhunës. Mendimet e mia janë tek ata dhe të afërmit, si edhe tek forcat e sigurisë dhe të shpëtimit që e kanë kaluar një natë të rëndë”, ka shkruar Scholz në Twitter.

Dëshmitarët e Jehovait janë pjesë e një kishe ndërkombëtare, e themeluar në Shtetet e Bashkuara në shekullin e 19-të dhe me seli në Uaruik të Nju Jorkut. Kisha pretendon se ka një anëtarësim prej rreth 8.7 milionë besimtarëve në mbarë botën, me rreth 170,000 në Gjermani.

Doktrina e këtij sekti refuzon armëmbajtjen, transfuzionin e gjakut, përuljen para flamujve kombëtarë ose pjesëmarrjen në qeverisjet laike.

(r.m.)