Tiranë, 16 mars 2023 – Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi të enjten që të pranojë kërkesën për regjistrim si subjekt politik nën siglën e Partisë Demokratike grupimin Basha-Alibeaj, ndërsa rrëzoi ankimimin e palës tjetër të përfaqësuar nga Sali Berisha.
KAS pranoi pjesërisht ankimin e grupimit Basha-Alibeaj kundër një vendimi të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, duke u njohur atyre të drejtën që të regjistrohen në zgjedhje nën emrin e Enkelejd Alibeajt si kryetar i komanduar i PD-së.
Relatori i çështjes, Koli Bele tha se vendimi parashikon që ankuesi duhet të depozitojë në KQZ dokumentacion shtesë, ku përfshihet një deklaratë me të dhënat për nënkryetarin dhe deklaratën e angazhimit solemn të nënshkruar nga Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë.
Deputeti Gazment Bardhi reagoi pas vendimit, duke akuzuar Celibashin se ka bërë qoka politike në kurriz të ligjit.
“Ilirian Celibashi është “nongrata” për PD dhe nuk gëzon asnjë besim për administrim të paanshëm, profesional dhe ligjor të zgjedhjeve të 14 Maj,” shkruajti ai në një status në rrjetet sociale.
Vendimi i KAS gjithsesi la disa pikpyetje për procesin administrativ të regjistrimit që parashikon plotësimin e disa kushteve juridike si adresa e partisë, për të cilën të dyja palët kanë shënuar të njëjtën adresë.
Avokatët e dy palëve parashtruan argumentet në seancën e shqyrtimit në KAS duke pretenduar për të drejtën e regjistrimit si subjekt politik.
Avokati Indrit Sefa i grupit Basha-Alibeaj iu referua regjistrit të partive politike në Gjykatën e Tiranës, si një dokument zyrtar që KQZ duhet të marrë parasysh.
Në këtë dokument, PD figuron e regjistruar me emrin e Lulzim Bashës kryetar, por sipas Cefës ai ka dhënë dorëheqjen dhe ka autorizuar persona të tjerë për të bërë regjistrimin.
Anëtari i KAS, Elvis Çefa ngriti pikpyetje mbi vlerën e autorizimit dhe formulimin e paqartë të tij dhe kërkoi të dinte se pse partia vijonte të ishte pa kryetar edhe pas 1 viti nga dorëheqja e Bashës.
“Dua të kuptoj vlefshmërinë e këtij autorizimi nga një person që ka një vit që nuk është më në detyrë,” tha ai.
Ai kërkoi sqarime edhe për emërtimin në fletën e votimit ku është i detyruar vendosja e emrit të kryetarit. “Komandimi i nënkryetarit nuk mund të jetë në pafundësi. Të vendosim Lulzim Bashën në fletën e votimit?” pyeti Çefa.
Edhe Ilir Rusmali kërkoi sqarime për këtë çështje, duke pyetur avokatin se pse “në kërkesë shkruani që kryetar është Lulzim Basha dhe pse thoni pastaj që dihet botërisht që ai ka dhënë dorëheqjen”.
Rusmali preku dhe përplasjen me adresën e selisë së partisë, e cila aktualisht përdoret nga grupimi i Berishës.
“Ju keni të njëjtën adresë, kur të komunikojë KQZ me ju, kë do gjejë aty?” pyeti ai avokatin, i cili u justifikua se adresa e shënuar është e njëjtë me atë në regjistrin e partive në gjykatë.
Pala e Berishës u mbrojt me avokatin Ledio Nuraj, i cili u kërkoi anëtarëve të KAS të merrnin parasysh zhvillimet e ndodhura në PD dhe vullnetin e anëtarësisë që ka zgjedhur si kryetar Berishën, edhe pse ndryshimi nuk ishte reflektuar në regjistër për shkak të proceseve zgjedhore.
Po ashtu, Nuraj iu referua vendimit të shkallës së parë që i njihte kësaj pale dokumentacionin e regjistrimit, që sipas tij, vijon të jetë në fuqi për aq kohë nuk është zbardhur vendimi i Apelit i 3 marsit që e rikthen çështjen për gjykim.
Sipas Nurajt, në praktikën e KQZ-së kishte një precedent të mëparshëm kur partia Bindja Demokratike ishte regjistruar në zgjedhje direkt pas vendimit të gjykatës, pa u reflektuar në regjistrin e partive.
“Mosregjistrimi i partisë më të madhe opozitare do të godiste pluralizimin dhe standardin e zgjedhjeve,” tha ai.
Ndërkohë, PD-ja e Berishës ka bërë një tjetër tentativë për të hyrë në zgjedhje si koalicion me Partinë e Lirisë dhe parti të tjera opozitare nën siglën “Bashkë fitojmë”, kërkesë që pritet të shyrtohet nga KQZ-ja.
Konflikti mes dy grupimeve në PD lindi në shtator të vitit 2021, kur ish-kryetari Basha vendosi përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, pasi ky i fundit u emërtua si person i përfshirë në korrupsion madhor nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
I zemëruar, Berisha nisi një fushatë të cilën e emëroi “Rithemelimi”, e cila kulmoi me një sulm fizik kundër selisë së partisë. Më tej, ai thirri Kuvendin e Partisë jashtë strukturave ekzistuese dhe arriti të marrë kontrollin e zyrave qendrore.
Grupi kundërshtar u dobësua më tej pas zgjedhjeve të pjesshme për pushtetin vendor në mars 2022 dhe Lulzim Basha dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë.
(Reporter.al)