Shqiptarët në Nju Jork protestojnë kundër Asociacionit

Nju Jork, 16 mars 2023 – Komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka mbajtur një protestë para selisë së Bashkimit Evropian në nju Jork kundër çfarëdo marrëveshjeje midis Kosovës e Serbisë që do të cenonte integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Kundërshtimi i atyre që protestuesit shqiptarë i kanë cilësuar si presione e imponime është shprehur që në moton e protestës (“Kosova duhet ta ruaj sovranitetin e integritetin e saj si shtet i pavarur”) dhe në fjalimet e oratorëve.

Ata kanë theksuar se Kosova duhet të vendosë vetë për fatin e vet.

Ish-komandanti i brigadës “Atlantiku” në luftën për çirimin e Kosovës, Gani Shehu, ka thënë se kohët e fundit po vërehet një presion i shtuar i ndërkombëtarëve mbi Kosovën për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe që bie ndesh me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës. Ai ka thënë se presioni duhet të ushtrohen ndaj Serbisë.

“Presioni të bëhet Serbisë e jo Kosovës, ngase Kosova ka bërë kompromise të dhimbshme dhe të vazhdueshme”, ka thënë Shehu, duke shtuar se koncesionet tjera që po i kërkohen Kosovës janë të tepërta.

Shehu ka thënë se komuniteti shqiptar në Amerikë u kërkon institucioneve shtetërore dhe subjeklteve politike në Kosovë që të mos nënshkruajnë asnjë dokument që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet e saj.

Kundër Asociacionit është protestuar edhe më 11 shkurt në Gjermani. Protesta është organizuar nga aktivistët e shoqatave të bashkatdhetarëve, ndërsa është përkrahur edhe nga qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjermani.

“Kundër bosnjizimit të Kosovës”, “Vuçiq=Putin”, “Vuçiqi e do edhe një luftë në Evropë”, “Jo Asociacionit” e “Jo ndarjes etnike”, ishin disa nga pankartat protestuese në Berlin.

(r.m.)