DIBRA VAZHDON TË JETË E NJERKËS

A do ta ri-inagurojë Kryeministri Rama Rrugën e pambaruar të Arbërit në prag të zgjedhjeve lokale?! 

Njoftim për mediat në 10 vjetorin e peticionit  

Nga Grupi i Lobimit  

Tiranë, më 18 Mars 2023  

U mbushën 10 vite nga nisja e këtij peticioni, dhe çdo pritshmëri e nismëtarëve i ka kaluar kufijtë. Kur e nisëm atëherë peticionin synonim dy qëllime:  

E para, depolitizimin e çështjes së Rrugës së Arbrit, heqjen e saj nga agjendat politike dhe vendosjen e saj si një agjendë kombëtare. Në parim, Partia Spocialiste dhe Partia Demokratike bënë sikur ranë dakord me këto kërkesa, por asnjëra palë nuk i mbajti premtimet.  

E dyta, ishte rritja e presionit ndaj vendimmarrësve për të ndërtuar një rrugë me cilësi dhe standarde dhe premtimi ndaj publikut ishte se nuk do ta zbehim kurrë zërin dhe presionin tonë për arritjen e këtij qëllimi.  

Grupi i Lobimit vazhdon t’u përmbahet këtyre parimeve ndërsa Kryeministri Edi Rama dhe tre Qeveritë e tij vazhdojnë ta injorojnë krejtësisht qëllimin tonë. Madje kanë dëshmuar një mungesë mjeranë në etikën e komunikimit, duke na akuzuar si “vegla të Saliu” dhe duke u krekosur se do ta ndërtojnë rrugën me standarde të tilla europiane, që do ta kishin zili edhe “peticionistat e Londrës”.  

Për sqarim, peticioni filloi përpara zgjedhjeve parlamentare në Mars 2013, pra kur nuk dihej rezultati i tyre. Po kështu, Grupi i Lobimit nuk ka ndonjë anëtar në Londër. Ndërsa Kryeministri Rama, me sa duket, është mësuar të rrethohet nga temenaraxhinj dhe i do dibranët afër të jenë merhumë dhe anonimë, që t’i servirë si ‘përfaqësonjës’ të Dibrës dhe disaporës sipas lojës së tij, meqë nuk ka kurajo të përballet me elitën.  

Kanë kaluar dhjetë vite nga nisja e peticionit dhe njerëzit e kanë parë çdo ditë në terren se çfarë është realizuar.  

Ne e përshëndetëm nisjen e qarkullimit në rrugë në nëntor 2021. Ndryshimi i vetëm që nga ajo kohë është se, nga pagesat nën dorë për rojet, tani qarkullimi ishte i lirë. Edhe pas dy vitesh, standardet e rrugës janë, siç thonë dibranët, për ibret: rruga ka rrëshqitur në shumë vende, asfalti shpesh është i shqepur dhe sinjalistika e sigurisë nuk gjendet pothuajse gjëkundi.  

Grupi i Lobimit ka vënë re në terren punime të ngadalësuara dhe pa cilësi dhe mungesa përsa i përket sigurisë. Aksidentet e fundit kanë treguar se ndërtuesit, apo nënkontraktorët, nuk u kanë kushtuar rëndësi dhe kjo, më shumë se shkelje e rregullave të ndërtimit, ka të bëjë me frymën e qeverisjes: bëj sikur punon, premto dhe bëj sikur mban premtimet, sepse, si gjithmonë, Dibra është e fundit.  

Që nga dita e nënshkrimit të kontratës në Mars të vitit 2018, informacione kontradiktore janë dhënë për financimin e saj. Nga 260 milionë euro për afro 80 kilometra rrugë, shifrat kanë shkuar në mbi 400 milionë euro. Një të katërtën e kësaj shumë e ka paguar qeveria deri më tani, por rruga nuk ka përfunduar megjithëse është inaguruar disa herë.  

Gjithashtu, terri informativ mbizotëron mbi ecurinë e punimeve në Tunelin e Murrizit. “Edhe 700 metra tunel ka për tu hapur”, thoshte Ministrja e Infrastrukturës në verën e vitit të kaluar, por mediat raportojnë se afro 700 metra është aktualisht pa u hapur akoma!  

Dy tunelet e tjera të Kardhiqit dhe Llogarasë nisën pas tunelit të Murrizit, por dy të parët mbaruan para kohe sepse, për Qeverinë, Dibra është akoma e njerkës.  

Nga vëzhgimet e fundit në terren, duke parë çfarë është përfunduar, çfarë është në proces dhe çfarë nuk është filluar akoma, mund të themi pa rezerva se kjo rrugë nuk do të përfundojë, jo vetëm këtë viti, por as vitin e ardhshëm.  

Qeveria kujtohet vetëm kur ka zgjedhje të merret me rrugën, gjë të cilën pritet ta bëjë edhe këtë vit, me hapjen e segmentit në Planin e Bardhë, e cila me letrat e Qeverisë ka mbaruar që në vitin 2011.  

Në këtë 10-vjetor të peticionit, ajo që vëmë re është se nuk ka asnjë komunikim zyrtar ndërmjet Tiranës dhe Shkupit për vazhdimin e punime në Rrugën e Arbërit në Maqedoninë e Veriut. Dhe për ta ndihmuar këtë fakt, qeveria shqiptare e ka mbyllur Rrugën e Arbërit në një rrethrrotullim në Maqellarë jashtë çdo standardi.  

Vitet po ikin dhe Qeveria në Tiranë dhe qeveritarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut duhet ta kuptojnë se nuk ka integrim të rajonit në Europë pa u integruar Dibra e copëtuar. Ndërprerja e këtij komunikimi ose lidhja e tyre dobët është nje nga plagët e hapura të hapsirës shqiptare.  

Peticioni për Rrugën e Arbërit, që deri tani ka mbi 22,000 përkrahës, nga të cilët 2,000 në formularë, mund të nënshkruhet online: http://bitly.ws/BLHN